Jeta në Paris, me zemrën në Tiranë! Hans Nallbani, avokati shqiptar në Francë!
Dritare.net

Avokati shqiptar në Francë, Hans Nallbani, ishte i ftuar në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në Dritare TV, ku ndau historinë e tij frymëzuese nga emigrimi i familjes deri te suksesi profesional në Paris.
I lindur në Gjermani në vitin 1993 nga prindër emigrantë shqiptarë, Nallbani u zhvendos në Francë që në moshën katërvjeçare. Rruga e tij drejt suksesit nisi me një mesazh të fortë nga prindërit: shkolla ishte çelësi i integrimit dhe i arritjeve. Kjo filozofi e shoqëroi gjatë gjithë jetës, duke e çuar drejt një karriere akademike të gjatë dhe të suksesshme.
Pas studimeve në drejtësi në Nancy të Francës, Hans Nallbani vijoi me dy mastera dhe më pas doktoraturën në fushën e drejtësisë së sportit dhe drejtësisë penale. Teza e tij doktorale, e financuar nga institucionet shtetërore franceze dhe Komiteti Olimpik, kishte në fokus luftën kundër dhunës në sport dhe ndikoi në përmirësimin e politikave publike në Francë.

Pas përfundimit të doktoraturës, ai vazhdoi rrugën profesionale në Paris, ku u formua në shkollën e avokatisë dhe më pas u regjistrua zyrtarisht si avokat në dhomën e avokatisë së Parisit. Sot, Hans Nallbani ushtron profesionin në fushën e drejtësisë së sportit dhe të drejtës penale, duke bashkëpunuar me një nga kabinetet më të njohura juridike në Francë.

Megjithëse jeton dhe punon në Paris, ai thekson se zemra e tij mbetet në Shqipëri. Gjatë intervistës, Nallbani shprehu dëshirën për të kontribuar në zhvillimin e sportit dhe politikave publike në Shqipëri, duke ofruar ekspertizën e tij dhe duke ndërtuar ura bashkëpunimi mes Francës dhe Shqipërisë.
“Çdo shqiptar i diasporës ka dëshirën të kontribuojë për vendin e tij. Është e rëndësishme të ndajmë dijen dhe eksperiencën për zhvillimin e Shqipërisë,” u shpreh ai gjatë bisedës.
Historia e Hans Nallbanit është një tjetër dëshmi e suksesit të shqiptarëve në diasporë, të cilët, pavarësisht largësisë, mbajnë lidhje të forta me atdheun dhe synojnë të japin kontribut për të ardhmen e tij./dritare.net
