
Komunikimi me njerëzit e dashur, vazhdon, edhe pasi ata ndahen nga jeta. Dr. Dori Mihali dhe dr. Selma Dino ishin një çift mjekësh shqiptarë në Milano. Dr.Dori iku befas. Më rrëshqiti në gishta, tregon Selma në Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTV, ndërsa ndan detaje për librin e saj “Pasdite në kopshtin e shtëpisë”, një libër si një shëtitje në një kopsht anglez.
“Unë e kam pasur gjithmonë ëndërr të shkruaj. Ndaj fillova të shkruaj në 2012-ën. Librin “Pasdite në kopshtin e shtëpisë” e kam shkruar fillimisht në italisht sepse jeta ime ishte në Itali asokohe. Unë dhe Dori ishim dy mjekë që vraponin nga njëra anë në tjetrën. Në Shqipëri unë kam qenë gjinekologe, ndërsa atje kam punuar mjeke për pleqtë. Ndërsa bashkëshorti, Dori Mihali ishte onkolog. Bëri specializimin në Italie, në farmakologji, onkologji dhe kimioterapi. Në fillim ishte e vështirë për ne Milano sepse kishim e një fëmijë të vogël.
Kur menduam se i kemi të gjitha mirë, kishim punë të mira, erdhi sëmundja e Dorit. Nuk e prisnim. Ai e dinte sepse kishte një dhimbje. Bëri ekografinë dhe i doli se kishte kancer në anën e majtë të ureterit. E prisja më tha. Nuk e di pse e kishte këtë parandjenjë. U operua, kimioterapia i shkoi mirë. Pastaj kur ishim në plazh, u sëmur dhe mësuam që i ishte përhapur sëmundja.
Në 12 gusht bëri radiografinë, në 20 tetor iku, na la përgjithmonë. Ai kishte frikë se sëmundja do t’i prekte trurin, kishte frikë se mos nuk na njihte më. Por ne patëm kohë të ndaheshim, ai qe i vetëdijshëm deri në fund. Mua më rrëshqiti nga duart, iku shumë shpejt.
Dori bëri kopertinën e librit të parë “Pasdite në kopshtin e shtëpisë” ndërsa kopertinën e librit të dytë e bëri me shpejtësi, sikur e dinte që do ikte. Ndërsa djali, në shtratin e vdekjes së të atit i tha; "Do ia bëj unë kopertinën e librit të tretë.” Personazhi im kryesor i ngjan shumë Dorit si karakter. Ne ishim shumë të lidhur me njëri-tjetrin. Më merr malli shumë. Mundohem të mos jetoj sikur ai nuk është më. E di që ai është në shtëpi. Kam bindjen që shpirti i Dorit është në shtëpinë tonë. E ndjejmë që e kemi në krah.”, rrëfehet mes lotësh, Selma për gazetaren Rudina Xhunga./K.C/dritare.net

















