Na ndiqni edhe në

Shqip

Goxhaj: Shqipëria nuk është aleate e SHBA-së në NATO!

Goxhaj: Shqipëria nuk është aleate e SHBA-së në NATO!

Dritan Goxhaj i ftuar në emisionin Shqip nga Dritan Hila në DritareTV ka bërë një deklaratë të fortë mbi rolin e Shqipërisë në NATO, duke theksuar se vendi ynë nuk duhet të ketë iluzione për statusin e tij brenda aleancës dhe se marrëdhënia me Shtetet e Bashkuara nuk është një aleancë mes të barabartëve. Goxhaj u shpreh se në Shqipëri ekziston një keqkuptim i thellë mbi mënyrën se si funksionon NATO.

“Ne shpesh nuk e kuptojmë çfarë themi kur flasim për NATO-n. Thuhet se ‘jemi aleatë me Shtetet e Bashkuara’, por kjo nuk është e saktë. Ne nuk jemi aleatë të barabartë me SHBA-në në NATO. Ne jemi vasalë të kësaj strukture. Jemi anëtarë të NATO-s, por jo aleatë në kuptimin real të fjalës,” deklaroi Goxhaj.
Sipas tij, aleanca nënkupton sakrifica të barabarta, gjë që Shqipëria nuk ka kapacitet ta përballojë.

“Aleancë do të thotë që të dyja palët të sakrifikojnë në mënyrë të barabartë. Ne nuk kemi kapacitetin të sakrifikojmë aq sa sakrifikon Amerika, prandaj nuk mund të pretendojmë status aleati të barabartë. Secili duhet të marrë vendin që i takon, në përputhje me kapacitetet që ka,” u shpreh ai.



Goxhaj theksoi se pikërisht për këtë arsye Shqipëria nuk duhet të kërkojë rol vendimmarrës brenda NATO-s.

“Shqipëria nuk ka pse të jetë pjesë e vendimmarrjes në NATO. Ne jemi pjesë e NATO-s për arsye të sigurisë sonë kombëtare, jo sepse i shtojmë vlerë NATO-s. Ne nuk i japim asnjë vlerë të shtuar NATO-s; përkundrazi, NATO na jep vlerë dhe siguri neve,” tha ai.
Sipas analistit, NATO po shkon drejt një ristrukturimi të pashmangshëm hierarkik, ku vetëm disa vende do të kenë pushtet real vendimmarrës.

“Kjo logjikë do të çojë drejt një ristrukturimi hierarkik të NATO-s, ku katër, pesë apo gjashtë vende do të jenë realisht vendimmarrëse, ndërsa pjesa tjetër thjesht do të votojë formalisht, njësoj si në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Kjo është e pashmangshme, sepse nuk mund të paguajmë të njëjtin ‘haraç’ që paguajnë Shtetet e Bashkuara,” u shpreh Goxhaj.
Ai theksoi se Shqipëria duhet të kuptojë peshën e saj reale dhe të veprojë brenda këtij realiteti.

“Ne duhet të kuptojmë qartë vendin dhe peshën tonë reale. Duhet të shtrijmë këmbët sa kemi jorganin, sepse nëse përpiqemi të shtrihemi më shumë, do të ftohemi,” deklaroi ai.
Duke folur për të ardhmen e aleancës, Goxhaj përjashtoi çdo skenar prishjeje të NATO-s dhe theksoi se Shqipëria nuk ka alternativë tjetër sigurie.

“NATO nuk prishet. Ne nuk kemi asnjë alternativë tjetër sigurie. Jashtë NATO-s, Shqipëria nuk ka ku të shkojë,” tha ai.
Në aspektin ushtarak, Goxhaj e përkufizoi Shqipërinë si pjesë të thellësisë operacionale të NATO-s.

“Thellësia strategjike janë vende si Franca, Spanja apo Portugalia. Thellësia operacionale është Shqipëria. Ne nuk jemi shumë afër frontit, por as shumë larg tij, dhe kjo na jep një avantazh të madh,” u shpreh analisti.
Sipas tij, roli optimal i Shqipërisë është shndërrimi në bazë logjistike të NATO-s.

“Shqipëria mund dhe duhet të shndërrohet në bazë logjistike të NATO-s. Ne kemi qindra tunele ushtarake, terren malor dhe kapacitete që me pak investim mund të përdoren për magazinim armatimi, shërbime mjekësore dhe mbështetje operacionale,” tha Goxhaj.
Ai theksoi se ky orientim përbën investim real për vendin.

“Ky është investim real dhe i dobishëm për Shqipërinë, jo harxhime pa kuptim për armatime që nuk dimë kundër kujt do t’i përdorim. Ky është roli real i Shqipërisë në NATO dhe ky rol duhet pranuar pa iluzione,” përfundoi Goxhaj./K.C/dritare.net