
Muzika, shqipja dhe ëndrrat që nuk njohin kufij u bashkuan në studion e emisionit “Shqip” në DritareTV, ku gazetarja Rudina Xhunga mirëpriti dy talente të reja shqiptare që po rriten në Londër, motër e vëlla, Jon dhe Fiona Celo.
Dy të rinjtë sollën në studio një atmosferë të veçantë muzikore, ku Joni interpretoi me kitarë ndërsa Fiona këndoi disa këngë të njohura ndërkombëtare, duke emocionuar edhe gazetaren Rudina Xhunga. Performanca e tyre e parë ishte kënga “We Are Never Ever Getting Back Together” e Taylor Swift, e cila u prit me duartrokitje dhe emocion në studio.
Gjatë bisedës, Joni tregoi se ka nisur të merret me muzikë gjatë periudhës së pandemisë, ndërsa sot studion disa instrumente si kitarë, piano dhe bateri. Ai tregoi se për të arritur nivelin e sotëm i është dashur shumë punë dhe përkushtim, duke ndjekur edhe disa mësues të ndryshëm për kitarën. Ndërkohë, Fiona tregoi se pasioni për muzikën i lindi që e vogël, kur babai i tyre u këndonte këngë të grupeve klasike si The Beatles.
Një pjesë e rëndësishme e intervistës u fokusua te jeta e tyre në Londër dhe përpjekjet për të ruajtur gjuhën shqipe. Të dy theksuan se në familje flasin gjithmonë shqip dhe falë prindërve të tyre kanë arritur ta ruajnë gjuhën shumë mirë, pavarësisht jetës në një vend të huaj.
Gjatë intervistës, dy të rinjtë treguan edhe për bandën e tyre muzikore “The Cellos Band”, me të cilën marrin pjesë në aktivitete dhe konkurse muzikore. Ata rrëfyen eksperiencën e tyre në një konkurs muzikor në Tiranë, ku patën mundësinë të takonin artistë shqiptarë dhe të merrnin këshilla për rrugëtimin e tyre muzikor.
Joni dhe Fiona ndanë edhe ëndrrat e tyre për të ardhmen. Fiona tregoi se dëshiron të shkruajë këngë dhe të performojë në skena të mëdha ndërkombëtare, ndërsa Joni theksoi se suksesi vjen përmes punës, përkushtimit dhe bashkëpunimeve të duhura.
Në fund të emisionit, dy talentet e reja interpretuan një tjetër këngë live, duke mbyllur intervistën me muzikë dhe emocion. Gazetarja Rudina Xhunga falënderoi prindërit e tyre për mbështetjen dhe për edukimin e dy të rinjve që, sipas saj, janë një shembull frymëzues i shqiptarëve në diasporë.
Joni dhe Fiona Celo pritet të performojnë edhe në një festival muzikor në Londër më 9 maj, ku do të prezantojnë talentin e tyre për publikun ndërkombëtar, duke vazhduar kështu rrugëtimin e tyre muzikor dhe duke përfaqësuar me krenari shqiptarët jashtë vendit./dritare.net