
Fatbardh Kadilli: Opozita nuk lufton më me moral, tani përdor paratë
Dritare.net
Fatbardh Kadilli i ftuar në emisionin Shqip nga Dritan Hila në DritareTv foli për kontratën 6 milionë dollarëshe të PD-së, për të lobuar në SHBA që të rregullojnë marrëdhëniet e kësaj partie me në krye Berishën non-grata, me administratën amerikane. Kadilli tha se PD-ja tani nuk lufton më me moral, por me para.
"Mendoj që janë para të humbura, qoftë për personin e fushatës, qoftë për lobimin. Janë humbur ato para, është humbur morali, është humbur edhe politikisht. Paratë le t’i dhimbsen atyre që i humbin jo të tjerëve. Në aspektin moral më dhimbset shumë sepse opozita shqiptare ka pasur vetëm një kartë për të rikuperuar, kartën e dallimit, e ndryshimit nga mazhoranca. Nëse mazhoranca është e korruptuar, akuzohet për korrupsion, aferat e shumta, inceneratorët, sot opozita vjen me një 6 milionësh, Basha desh përfundoi në burg për nja 500-600 mijë dollarë. Kjo tregon se opozita ka humbur moralin dhe nuk lufton me moral, por me para. Humbja tjetër është politike, Nëse shohim kontratën, pretendimet e saj tregojnë që lobistët amerikanë, avokatë të njohur pranë Trump-it, do të ndikojnë që të rregullohen marrëdhëniet e PD-së me administratën amerikane. Në fakt PD-ja është institucion politik që është krijuar me investim të madh amerikan. Nëse nuk është e zonja politikisht t’i rregullojë këto raporte, duhet të korrigjojë politikën, jo të zbrazë xhepat për të blerë ndonjë dekoratë, ndonjë fotografi apo ndonjë deklaratë të dalë nga kontekstet për të krijuar idenë se kanë ndonjë raport. Raportet me Amerikën, apo me çdo administratë tjetër, me çdo institucion politik janë raporte politike, këto nuk blihet. Ndaj them që janë para të shkuara dëm.”, thotë Kadilli në DritareTV./K.C/dritare.net
]

















