
Çfarë do të ndryshojë Donald Trump në Shqipëri! Flet studiuesi Agron Alibali
Dritare.net
Tërmeti që do të ndodhë në administratën amerikane pas vendosjes së Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë pa dyshim që do të prekë edhe Shqipërinë. Studiuesi Agron Alibali i ftuar në Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTV tregon se çfarë do të ndryshojë Trump në Shqipëri, pasi të marrë detyrën në janar të 2025-ës. Sipas tij, Trump mund të emërojë një ambasador të ri amerikan në Shqipëri, jo Kostelancik. Po ashtu mund të ndryshojë pas mbi 25 vjetësh edhe kreun e bordit të Fondit Shqiptar të Zhvillimit.
“Donald Trump pritet të ketë një qasje kritike në politikën e jashtme, kryesisht ndaj BE-së. Një mundësi është që presidenti Trump në janar ose shkurt ta riemërojë zotin Kostelancik në detyrë. Po gjasat janë shumë të pakta për vetë faktin se para një muaji kur emërimi i tij u soll në vëmendjen e Senatit, për t’u miratuar. Por u ngrit senatori republikan dhe e kundërshtoi, duke e rrëzuar si kandidaturë. Gjasat janë që do ketë një emërim të ri nga Trump si ambasador në Shqipëri.
Në krye të agjendës së Trump-it është një çështje shumë e debatuar, përfshirja e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit në trashëgiminë kulturore të Shqipërisë. ADF-ja ka si mandat të caktuar nga Kongresi Amerikan zhvillimin të sektorit privat. Por ka pasur një devijim të jashtëzakonshëm nga politika amerikane sepse është përfshirë në Butrint, Berat, Durrës në të gjitha sitet e trashëgimisë kulturore. Kjo përfshirje është mbështetur fuqimisht nga zyra e USAID-it në Tiranë. Këtu përgjegjësi ka drejtoresha e kësaj zyre zonja Mischare Kawas. Amerika nuk do që të marrë përsipër menaxhimin e trashëgimisë së botës. Linja e USAID-it iu jep mundësi të tjerëve që t’i bëjnë gjërat vetë. Mendoj se do ketë një ndryshim në kryesinë e bordit e ADF-së (Fondi Shqiptar i Zhvillimit). Michael Granoff ka mbi 20 vjet në krye të bordit të ADF-së dhe është momenti që të largohet. Nëse nuk largohet vullnetarisht duke dhënë dorëheqjen, do të largohet nga presidenti Trump dhe do emërojë një kryetar i ri i bordit të ADF-së që vijojë funksionin sipas mandatit të caktuar me ligj nga Kongresi Amerikan.”, tha zoti Alibali në DritareTV./K.C/dritare.net

















