Na ndiqni edhe në

Shqip

Ekskluzive/ Flet Armir Gjeçi, shqiptari që bëri histori në Itali

Ekskluzive/ Flet Armir Gjeçi, shqiptari që bëri histori në

Rudina Xhunga kishte të ftuar mbrëmjen e së hënës, një djalë me histori të jashtëzakonshme. Në daljen e tij të parë për publikun shqiptar, Armir Gjeçi, një djalë nga Durrësi që sot komandon Karabinierët në Ivrea të Torinos, Itali, rrëfeu jetën, sfidat dhe fitoren e tij më të madhe, të bëhet Kapiten i Karabinierëve.

“Tre ditë më parë, më erdhi një link me emrin Armir Gjeçi. E lexova si italisht dhe e lashë pa hapur, nga frika mos ishte ndonjë haker online. Të nesërmen, kur pashë lajmin dhe komentet e shqiptarëve, ndjeva se ishte një histori që duhej treguar,” tha Rudina Xhunga në hyrjen e saj, duke e quajtur këtë bisedë një rast të rrallë për të shpjeguar jo vetëm suksesin e një shqiptari në Itali, por edhe përpjekjet dhe sakrificat që e shoqëruan këtë rrugë.

Nga ëndrra e fëmijërisë te dështimi i parë

Armir Gjeçi ka lindur në vitin 1994, në Durrës. Fëmijërinë e ndau mes Shqipërisë dhe Italisë, pasi familja e tij emigroi për arsye ekonomike. “Që i vogël kam pasur dëshirë të bëhem karabinier. Shembulli i prindërve të mi, puna dhe edukata e tyre më frymëzuan që të zgjidhja këtë rrugë,” rrëfen ai.

Por rruga nuk ishte aspak e lehtë. Në vitin 2013 ai aplikoi për herë të parë për konkursin e oficerëve. Pavarësisht përgatitjes, nuk ia doli. Për shumë të rinj kjo do të ishte fundi i ëndrrës. Për të, ishte një fillim i ri. “Pas dështimit të parë, vendosa të studioja edhe më shumë. Nuk u dorëzova. Dëshira ime ishte shumë e fortë.”

Fitorja e madhe dhe karriera në ngjitje

Një vit më pas, në 2014-ën, Armiri konkurroi përsëri, këtë herë për konkursin e inspektorëve, për marshall. Ishin rreth 60 mijë aplikantë. Ai ishte ndër fituesit. "Ishte kokëfortësi dhe motivim personal që më shtyu ta arrija këtë objektiv.”, thotë ai.

Pas fitores, u pranua në Akademinë e Karabinierëve: dy vite në Modena dhe tri vite në Romë, në Shkollën e Oficerëve. Prej aty, karriera e tij mori një ngjitje të pandalshme:

-Shërbeu si komandant flotoni në Shkollën e Karabinierëve, 2020-2022.

-U caktua komandant i njësisë operative dhe radiomobile në Trapani, 2022-2023.

-Shërbeu në njësi të rëndësishme të Torinos, 2023-2025.

- Sot, komandon kompaninë e Ivreas, një qytet pranë Torinos me 14 stacione karabinierësh dhe një territor të gjerë e të vështirë malor.

Në gradë, ai është tashmë kapiten, ndërsa rruga përpara hapet drejt gradave gjithnjë e më të larta ushtarake në punën që ai nuk e quan punë, por ëndrra e jetës.

Puna, sfidat dhe mesazhi për shqiptarët

Si komandant, puna e tij nuk kufizohet vetëm te lufta kundër krimit. Ai është i angazhuar në parandalimin e drogës, edukimin e të rinjve, konferenca me nxënës dhe qytetarë, duke vënë theksin te komunikimi dhe besimi mes shoqërisë dhe karabinierëve.

I pyetur për racizmin dhe paragjykimet, Armiri thotë se nuk është përballur kurrë me to. Përkundrazi, origjina shqiptare është kthyer në një vlerë: “Kam ndier gjithmonë respekt nga kolegët dhe qytetarët. Kjo më ka dhënë forcë të jem shembull për të gjithë.”

Në fund të intervistës, mesazhi i tij për të rinjtë shqiptarë është i fuqishëm:

“Mos u dorëzoni kurrë. Edhe kur humbisni, duhet të ngriheni përsëri. Shkolla, kultura dhe disiplina janë thelbësore. Të punosh me zemër e përkushtim do të thotë që çdo sfidë mund të kapërcehet. Në Shqipëri apo jashtë, mos u dorëzoni! Unë kam punuar si punëtor druri, kur humba konkursin. Po ja ku jam, sepse e provova sërish e sërish!”

Shqip, një dritare e historisë së Shqipërisë

Me këtë histori, Rudina Xhunga vijon përpjekjen e saj, për të treguar historinë e Shqipërisë, nëpërmjet djemve dhe vajzave, burrave dhe grave që e kanë bërë atë, pazëshëm. Shqip në Dritare TV ju jep zë./ dritare.tv