Dritan Goxhaj: Si po thyhen fortifikimet më të forta në botë!
Dritare.net

Në një intervistë për emisionin Shqip nga Dritan Hila në DritareTV, Dritan Goxhaj bën një analizë të thellë taktike dhe operacionale të zhvillimeve në frontin e luftës në Ukrainë, duke u fokusuar te rënia e qyteteve kyçe si Avdiivka, Pokrovsk dhe Kupiansk. Ai shpjegon se linja e mbrojtjes ukrainase në Donbas nuk ishte thjesht një llogore e zakonshme, por sistemi më i fortifikuar në botë, i ndërtuar për tetë vjet rresht (2014-2022) me standardet dhe inxhinierinë e NATO-s. Kjo shpjegon, sipas tij, përparimin e ngadaltë të rusëve në fillim, të cilët u detyruan të ndryshojnë taktikë për të shmangur humbjet masive njerëzore.
Goxhaj prezanton konceptin e “Maskirovkës” (maskimit dhe mashtrimit) dhe përdorimin e fuqisë brutale të zjarrit. Ai përshkruan se si Rusia po përdor bomba të vjetra sovjetike të modifikuara me sisteme drejtimi (bomba fluturuese ose glide bombs) që variojnë nga 500kg deri në 3000kg. Këto armë lejojnë aviacionin rus të godasë nga distanca të sigurta (40-70 km, e së fundmi deri në 200 km), duke rrafshuar fortifikimet ukrainase pa rrezikuar avionët. Pasi fortifikimet shkatërrohen nga ajri dhe artileria, këmbësoria ruse avancon për të pastruar terrenin.
Një element kyç i analizës është taktika ruse e rrethimit jo të plotë, ose krijimi i “xhepave” (taktikë dhe operativë). Goxhaj shpjegon ndryshimin nga doktrina e vjetër sovjetike e rrethimit total (si në Stalingrad). Tani, rusët lënë qëllimisht një “shteg” daljesh prej 1-2 km. Kjo është një lëvizje psikologjike: nëse ushtari ukrainas e di që është plotësisht i rrethuar, ai do të luftojë deri në vdekje, duke i shkaktuar humbje të mëdha sulmuesit. Por, nëse sheh një rrugë shpëtimi, ai tenton të tërhiqet. Pikërisht në këtë “korridor vdekjeje”, artileria dhe dronët rusë shkaktojnë dëmet më të mëdha te trupat në tërheqje. Kjo taktikë, sipas Goxhajt, ka çuar në rënien e shpejtë të qyteteve të fortifikuara kohët e fundit dhe po çon drejt kolapsit të vijës së frontit, pas së cilës shtrihet një terren fushor i vështirë për t’u mbrojtur deri në lumin Dnieper./K.C/dritare.net