
Dilaver Goxhaj: Kush e zhduku arkivën e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së!
Dritare.net
Ish-oficeri i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Dilaver Goxhaj, ka bërë një deklaratë të fortë mbi fatin e dokumenteve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Në një intervistë me Dritan Hilen në Dritare Tv ai u shpreh se, pas përfundimit të luftës, materialet zyrtare të mbajtura dhe të protokolluara nga Shtabi nuk janë më të aksesueshme, pasi janë marrë dhe dorëzuar te forcat e KFOR-it.
Sipas Goxhajt, në këto materiale ndodheshin të gjitha procesverbalet e mbledhjeve, urdhrat e operacioneve, si dhe komunikimet e rregullta të strukturave të UÇK-së. “Ato dokumente provonin se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka vepruar si ushtri e rregullt, me vendimmarrje kolegjiale dhe duke respektuar Konventën e Gjenevës. Por sot nuk dimë ku janë”, tha ai.
Goxhaj shtoi se mungesa e këtyre materialeve ka ndikuar drejtpërdrejt në proceset gjyqësore në Hagë, duke lënë hapësirë për interpretime të njëanshme dhe akuza politike ndaj drejtuesve të UÇK-së.
“Ne ishim 13 anëtarë të shtabit të përgjithshëm, 8 oficerë dhe 5 intelektualë. Edhe pse kishte pasur debate dhe diskutime, vendimet merreshin me kolegjialitet dhe protokolloheshin. Zoti Rubin nuk i falet që tha që UÇK-ja nuk ishte ushtri e rregullt. Por ai nuk ka faj, sepse këta që janë në Hagë, kanë thënë që nuk kishim shtab të përgjithshëm, ishin të pavarur komandantët e zonave, nuk mbajmë ne përgjegjësi. Pra e mohuan shtabin e përgjithshëm. Ku janë dokumentet e shtabit? I mori KFOR-i kur u kthyem në Prishtinë dhe i ktheu pas 3 muajsh. Po ku janë sot këto dokumente? Çfarë po bën mbrojtja? Pse nuk ia kërkojnë KFOR-it dokumentet, se KFOR-i ka një kopje. Këto dokumente nuk janë as tek arkivi i shtetit të Kosovës se i kërkova unë. Në ato dokumente janë të gjitha urdhrat që janë dhënë, të protokolluar. Prandaj them unë se gjyqi në Hagë, është gjyq politik.” theksoi Goxhaj në DritareTV./dritare.net

















