Na ndiqni edhe në

Shqip

Bimo: Perandoria amerikane në fillim të fundit të saj

Bimo: Perandoria amerikane në fillim të fundit të saj

I ftuar në shqip nga Dritan Hila në DritareTv, ish-ambasadori Roland Bimo komentoi situatën globale dhe rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke shprehur shqetësimin për dobësimin e autoritetit amerikan në skenën ndërkombëtare.

“Autoriteti i SHBA-ve ka marrë tatpjetën, sidomos për mënyrën sesi po sillet kryeministri i Izraelit ndaj tyre dhe për ngjarjet në Gaza,” tha Bimo. “Bazuar në raportet e OKB-së dhe ekspertët ndërkombëtarë, kjo tregon një dobësi morale që bën të tingëllojnë bosh të gjitha fjalët e mëdha për të drejtat e njeriut dhe shtetin ligjor. Në këtë kuptim, SHBA-të po humbin shumë. Perandoria është në fillim të rënies së saj.”

Bimo shtoi se “rëniet e perandorive historikisht shoqërohen me shpenzime të jashtëzakonshme ushtarake. SHBA-të kanë shpenzuar triliona dollarë për ushtri, ndërkohë që kanë borxhe po me triliona. Marrëdhëniet me aleatët po shihen gjithnjë e më shumë në raport vasalësh, jo si partneritete të barabarta.”

Ish-ambasadori paralajmëroi se “nuk është vetëm çështje financiare. Humbja e besimit të aleatëve dhe reduktimi i ndikimit ndërkombëtar mund të çojnë në rënie të mëtejshme të autoritetit amerikan. SHBA-të nuk kanë më fuqinë që kishin në vitet 1991-1992 dhe kjo ka pasoja serioze për stabilitetin global.”

Bimo përfundoi me një vlerësim të përgjithshëm: “Perandoritë nuk zgjatin përgjithmonë. Shpenzimet masive ushtarake, borxhet e mëdha dhe marrëdhëniet problematike me partnerët ndërkombëtarë tregojnë se SHBA-të janë në fillim të fundit të një periudhe të dominimit global.”/K.C/dritare.net