Shqipëria të rrisë sportistët e saj! Flet Klodeta Gjini, rekordmenia shqiptare e Atletikës
Dritare.net
Medalistët e Lojërave Olimpike u nderuan sot në një ceremoni të veçantë në godinën e kryeministrisë. Asnjë prej fituesve në këto Lojëra Olimpike, nuk është shqiptar. Për këtë fakt kryeministri Rama tha se dikur Shqipëria nga një vend që braktisej nga bijtë e vet, sot adopton fëmijë të huaj. Ndërsa mbahej ceremonia në Shqip nga Rudina Xhunga në Dritare TV ishte e ftuar rekordmenia në atletikë, Klodeta Gjini. Për komentin e kryeministrit atletja tha se është një e vërtetë e hidhur dhe se Shqipëria duhet të ketë sportistët e saj me të cilët duhet të përfaqësohet.
Rudina Xhunga: Ndërsa ka qenë në këtë aktivitet kryeministri Edi Rama është shprehur se dikur Shqipëria nga një vend që braktisej nga bijtë e vet, sot adopton fëmijë nga shtete të huaja. Ju jeni një bijë e këtij vendi, një rekordmene e këtij vendi, që kurrë rekordi juaj nuk u kalua nga një tjetër. Pakkush i asaj kohe mund t’i ketë harruar ditët e lavdishme tuajat. Ju jeni një bijë e e këtij vendi e ikur ndërsa në anën tjetër fëmijët e adoptuar të Shqipërisë. Si ju duket kjo përballje?
Klodeta Gjini: Është e hidhur. Unë do të dëshiroja që bashkë me dy atletët e huaj që përfaqësuan Shqipërinë në Lojërat Olimpike të kishte gjithashtu atletë shqiptarë, që ta plotësonin këtë fotografi. Është themelore dhe nëse Shqipëria do të dojë që në të ardhmen të mos përfaqësohet vetëm nga fëmijët e adoptuar, duhet të investoje te fëmijët e saj, te fëmijët e Shqipërisë. Brezi i ri duhet të përgatitet për sport dhe të mos zgjidhet vetëm rruga e shkurtër, e birësimit nga jashtë. Shqipëria duhet të përgatisë e rrisë sportistët e saj. Adoptimi mund të jetë një alternativë, por Shqipëria nuk mund të përfaqësohet vetëm nga të huajt, por nga sportistët e saj.
Unë nuk e kam përjashtuar kthimin tim në Shqipëri. Pra bijtë e Shqipërisë vërtet kanë ikur, por mund të kthehen. Asnjë ikje nuk është pa kthim. Me rëndësi sot është që Shqipëria të krijojë kushtet për zhvillimin e mundësive për fëmijët. Të krijohen kushte që fëmijët të mësojnë në shkolla, bëjnë aktivitete jashtë saj. Shqipëria ka nevojë për një identitet të saj sportiv. Për të pasur një produkt të saj. Unë jam një produkt i Shqipërisë dhe çdo brez duhet të ketë një produkt./L.F-dritare.net