
Artan Hoxha: Si funksionon mafia shqiptare, pa një kryetar!
Dritare.net

Gazetari Artan Hoxha në Shqip nga Rudina Xhunga tregoi detaje se si funksionon mafia shqiptare në vendin tonë por jo vetëm.
Hoxha tregon se mafia shqiptare nuk pati kurrë një kryetar, ndaj është e vështirë që të asgjësohen.
“Krimi i organizuar shqiptar nuk ka kartelë, sepse nuk bien dakord se kush do drejtojë. Ndaj është e veçantë mafia shqiptare. Nëse do të kishin kartelë mund të vinin para dhe shtetin. Kartelat përballen me shtetin. Por e keqja është që nuk mund të asgjësohen dot kurrë sepse grupet shqiptare janë si kërpudha. Nëse godet sot një grup në Romë që merret me trafikun e kokainës nga Shkodra, mbas një muaji ka ardhur dhe ka zënë vend një grup tjetër. Krimi shqiptar nuk është sistem piramidal, ne nuk kemi kokë, kjo nuk i jep mundësi grupeve që të rriten si mafiet tradicionale që njeh bota. Por nga ana tjetër na bën të vështirë për t’u asgjësuar. Plus edhe emigracioni i madh i jep mundësi elementëve të krimit që të shkrihen brenda komuniteteve, dhe t’i përdorin në favor të tyre. Zonat Fushë-Krujë, Krujë, Mat, edhe në kohën e Zogut, kanë pasur numrin më të madh të vrasësve. Më vjen keq të them, por këto zona kanë traditë pushkën. Gjithë qytetet industriale kanë problematika të veçanta nga ato homogjene. Por asokohe nuk ishin në këtë nivel, por ky është habitati ku rriten. As policia as Shteti nuk kanë arritur t’i çajë ata, të ndryshojë habitatin që një adoleshent në Nikël, Fushë-Krujë, nuk duhet të kenë model ata që kanë makinë 100-200 mijë euro dhe që kanë vajzën më të bukur.
Nuk njoh asnjë strukturë kriminale që të ketë pasur sukses apo të ketë mbijetuar pa lidhje politike. Nuk kontrollon dot territorin nëse nuk ke lidhje të forta politike. Lidhjet politike të japin lidhje me agjenci të zbatimit të ligjit, policinë, prokurorinë, SHIK-un, të ofrojnë paprekshmëri. Në botën e krimit, bosët janë në aleancë, ushtarët nuk e dinë. Në bisedat që bëjnë bosët me njëri-tjetrit, tregohet vlerësimi që kanë për ushtarët e tyre.
Në botën e krimit batuta është: “Paqja kushton më lirë se lufta”.
Më shumë kanë mbijetuar ata që anojnë nga paqja, ata të luftës janë të ekspozuar, sulmohen nga policia, shteti, media etj. Sa më shumë godet media, sërish është problem për ta. Në vitet 2010 këta drejtuesit e grupeve kriminale, e quanin reklamë, reputacion, kur dilnin në media. Por tani e kanë kuptuar se fuqia qëndron tek pjesa që ne nuk e shohim, nuk e flasim. Në fakt ata nuk janë të jashtëzakonshëm, por rrethanat i fuqizojnë ata. Ai 1 milionë euro nuk fitohet këtu por në Ekuador. Por Shqipëria, si vendi i origjinës, grupet rekrutojnë ushtarë. Kanë njohje, që nëse i tradhtojnë dinë ku të bëjnë presion (tek familjarët).
Kjo lloj organizimi nuk i lejon që të kenë kartelë të madhe, nuk dakortësohen kush do të jetë në krye. Po t’i shohësh intrigat politike në vend janë shumë të ngjashme me mafien. Në vetvete kjo është strumbullari se si këta funksionojnë. Nuk ka bos të suksesshëm krimi nëse nuk kujdesen shumë për familjen e tyre. Ata janë shumë të lidhur me familjet, deri më tani kam vënë re që ndikueset më të mëdha mbi bosët e krimit janë motrat, nënat, të dashurat”, tha Hoxha./M.K-dritare.net

















