
Arsyet pse të zgjedhësh Universitetin Bujqësor! Flet rektori Fatbardh Sallaku
Dritare.net
Rektori i Universitetit Bujqësor, Fatbardh Sallaku në Shqip nga Rudina Xhunga, tregoi se sa e rëndësishme është që të rinjtë të kuptojnë se e ardhmja e Shqipërisë krahas turizmit është edhe bujqësia.
Zoti Sallaku tregoi se në universitetin që ai drejton, ofrohen të gjitha mundësitë që një student të arsimohet, të fitojë diplomën që njihet kudo në botë si dhe të angazhohet direkt në tregun e punës.
“Nuk ka turizëm pa bujqësi. Orientimi i këtij vendi pas 100 vitesh do të jetë sektori i turizmit dhe bujqësia, që kanë nevojë për njerëz të ditur, ekspertë.
Ne flasim për bum turistësh por harrojmë se kemi nevojë për dy gjëra: siguri ushqimi dhe siguri ushqimore, sa ne prodhojmë dhe cilësia çfarë hamë.
Fatkeqësisht harrojmë për këto dy elementë sa largohemi nga dreka dhe darka e fundjavave dhe kthehemi në punë. Ku e kalojmë fundjavën? Të gjithë largohemi nga Tirana dhe shkojmë periferi, në fshat, komplekse agroturistike, që e kanë emrin agrokulture (bujqësi).
Ky sektor ka nevojë për mbështetje, njerëz që e promovojmë dhe që brezi i ri të mendojë që e ardhmja është kjo.
Në Shqipëri ka shumë nevoja, por e vetmja gjë që nuk do të ndryshojë kurrë është nevoja për ushqim. Kjo është e padiskutueshme. Universiteti Bujqësor fatmirësisht nuk vuan për studentë, përkundrazi është në ditët e mira.
Universiteti ka marrë riskun që nuk ka eksperimentuar. Sot kudo në botë janë dy universitete: Universitet që ofron çdo lloj programi dhe ai tematik, siç është edhe Universiteti Bujqësor, që ka qëndruar siç ishte para viteve 90’.
Diploma e Universiteti Bujqësor njihet në çdo cep të botës, ka trashëguar kurrikulat më të mira të mundshme. Tani ky universitet ka firmosur marrëveshjen më të madhe, strategjike, me një ndër universitete më të mira në botë në Shkencat e Jetës.
Universiteti më i mirë në botë BOKU, që gjendet në Vjenë. Ne arritëm që ta bindim që të bashkëpunojë me ne, që në 4 vite të kemi diploma të përbashkëta.
Një i ri gjimnazist që na dëgjon sot dhe zgjedh një ndër programet që ofrohet në universitetin tonë, merr diplomën e Bujqësorit dhe atij në Vjenë.
Kjo është reforma më e thellë që ka bërë një universitet në Shqipëri, që lidhet me ofertën akademike.
Ne e dimë që ky brez i informatikës nuk vjen tek Bujqësori, ndaj vendosëm të ndryshojmë, sepse është ndër sektorët më të vështirë.
Por ky brez nuk duhet të harrojë që koncepti i veterinerit, agronomit, inxhinierit të pyjeve ka ndryshuar, nuk kërkohet fuqi punëtore por mendja. Qeveria shqiptare aktualisht për çdo të ri maturant, nëse regjistrohet në programet e Universiteti Bujqësor, paguhet me vlerën e pagës minimale (40.000 lekë).
Pra jo vetëm që nuk paguan por paguhet gjatë 4 viteve akademike. Universiteti Bujqësor i jep vlerë diplomës, vendin e punës çdo student e ka të sigurt.
Në këtë universitet ka profesione të lashta si: inxhinier pyjesh, mjekësi veterinare, agronom, zooteknikut, të gjitha këto i duhen Shqipërisë edhe në 100 vitet e ardhshme.”, tha rektori në Dritare TV./M.K-dritare.net

















