Na ndiqni edhe në

Shqip

80% e shqiptarëve do të thonë po. Thirrja e Arben Çukos për shërbimin e detyrueshëm ushtarak!

80% e shqiptarëve do të thonë po. Thirrja e Arben Çukos

Eksperti i sigurisë, Arben Çuko, i ftuar në emisionin “Shqip” nga Dritan Hila në DritareTV, tha se Shqipëria duhet të rishkruajë doktrinën e saj ushtarake, pasi manualet e NATO-s mbi të cilat është bazuar tashmë janë tejkaluar. Sipas tij, modernizimi i forcave të armatosura duhet të fokusohet tek përdorimi masiv i dronëve dhe përshtatja e trupave për kushtet e reja të luftës.

Çuko theksoi se ndërkohë që ushtria e Kosovës është përditësuar me blerjen e dronëve dhe raketave Javelin, Shqipëria duhet të ecë me hapa më të shpejtë. “Qeveria ka miratuar një plan 10-vjeçar për modernizimin e ushtrisë, për rritjen e numrit, përgatitjen e trupës dhe oficerëve të rinj, si dhe pajisjen. Por unë mendoj që është i pamjaftueshëm. Është parashikuar ngritja e një njësie kundërajrore për mbrojtjen e popullsisë, por kjo është e pamjaftueshme,” tha ai.

Një hap konkret dhe pozitiv, sipas Çukos, është nisma për prodhimin e dronëve shqiptarë dhe rikthimi i uzinave të municioneve të lehta e të rënda. Po ashtu, ai e cilësoi shumë të rëndësishme linjën e prodhimit të makinave të blinduara. “Nuk ka nevojë t’i prodhojmë nga e para, mjafton t’i asamblosh dhe t’u vendosësh sistemet elektronike. Për territorin tonë nuk na duhen supermotora si ushtria amerikane, por mjete të thjeshta dhe funksionale,” – u shpreh eksperti, duke e parë këtë si një mundësi për të rivendosur industrinë mekanike dhe kimike që Shqipëria ka pasur dikur.

Ai ngriti gjithashtu shqetësimin për mungesën e pilotëve dhe të shkollës së marinës. “Dikur kishim pilotë që mbanin në funksion mbi 200 avionë e helikopterë. Sot nuk kemi fare. Po ashtu kishim një shkollë të shkëlqyer marine, me komandantë të klasit të parë. Sot nuk kemi më,” tha Çuko, duke e cilësuar këtë si shkatërrim të traditës dhe shkëputje të lidhjes mes popullit dhe ushtrisë.

Për këtë arsye, eksperti i sigurisë kërkoi rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak. “Jo dy vjet, por gjashtë muaj për djem dhe vajza do të ishte i domosdoshëm. Ka shumë nevoja në institucione publike, trajnime, shërbime civile. Shërbimi i detyrueshëm ka dy shtylla: forcimin e kapaciteteve ushtarake dhe edukimin e brezit me disiplinë, punë e vetëkontroll. Është një shkollë e jashtëzakonshme edukimi dhe një lidhje e përhershme mes popullit dhe shtetit,” u shpreh ai.

Në fund, ai shprehu bindjen se nëse do të mbahej një referendum, 80% e shqiptarëve do të votonin “po” për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak./K.C/dritare.net