
Flet shefi i neurologjisë Eris Ranxha: Ja kur duhet të shkojmë me urgjencë te neurologu!
Dritare.net
“Dritarja e Doktorit” ishte pranë shërbimit Neurovaskular në Spitalin Universitar Nënë Tereza në kryeqytet. Kjo pjesë e polit të Integruar të Neuroshkencës realizon aplikimin e proçedurës së trombolizës intravenoze për sëmundjet ishemike të trurit, i cili ofrohet vetëm në QSUT. Mjeku i njohur neurologu dhe shefi i pavionit të neurologjisë Eris Ranxha dha një intervistë ekskluzive për Dritaren e Doktorit.
"Spektri i patologjive që trajton neurologu është shumë i gjerë, të gjitha sëmundjet që dëmtojnë sistemin nervor qëndror dhe periferik, janë ato që trajton neurologu. Sistemi nervor qëndror është i një rëndësie të vecantë në funksionet jetësore të individit. Shërbimi neurovaskular, trajton dëmtimet e trurit që vijnë në mënyrë të menjëherëshme. Dëmtimi i trurit pasqyrohet te paralizat e plota apo të pjesshme të trupit, në paaftësi për të folur ose për të kryer veprime normale.
Shenjat janë lehtësisht të dallueshme, por gabimi që bëhet nga familjarët është vonesa dhe ardhja në kohë në spital. Këto shenja neglishohen me parimin që nëse personi nuk lëvizet kjo gjendje kalon, por shkenca e sotme tregon të kundërtën. Ajo vërteton edhe njëherë se sa më shpejtë pacienti të paraqitet te mjeku, aq më e shpejtë është mundësia për ta parandaluar gjendjen që rrezikon edhe jetën e pacientit.
Mjafton edhe një dhimbje koke që ta detyrojë pacientin të kryej një kontroll, nëse kjo situatë ka ardhur nga një krizë hypertensive. Koha është elementi më i rëndësishëm i një neurologu.",-u shpreh mjeku Ranxha./M.T/dritare.net

















