Rama: Sikur të besoja çfarë u tha për Zvërnecin do të isha në protestë!
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me debatet për ndërtimin e resortit turistik në Zvërnec, duke deklaruar se informacionet e pavërteta kanë shkaktuar pasoja negative për turizmin dhe bizneset shqiptare.
Gjatë një deklarate për mediat, Rama tha se nëse do të kishte besuar akuzat e bëra për projektin, do të kishte qenë ndër personat që do të protestonin kundër tij. Sipas kryeministrit, ajo që është thënë për Zvërnecin ka krijuar një perceptim të gabuar dhe ka sjellë anulime të shumta nga turistët.
“Dezinformimi ka sjellë një kosto të madhe. Kemi pasur anulime pafund dhe është goditur puna e njerëzve që presin gjithë dimrin për sezonin turistik”, u shpreh Rama.
Ai argumentoi se investimet e mëdha turistike janë të rëndësishme për ekonominë shqiptare, pasi sipas tij sjellin vende pune, rrisin konsumin dhe krijojnë mundësi për bizneset lokale.
Rama hodhi poshtë akuzat se projekti në Zvërnec përbën betonizim të zonës, duke theksuar se qeveria e tij ka ndërmarrë masa për mbrojtjen e natyrës. Ai përmendi anulimin e disa projekteve hidrocentralesh në zona të mbrojtura, përfshirë Vjosën dhe Valbonën, si dhe krijimin e zonave të reja të mbrojtura.
“Kemi bërë përpjekje të vazhdueshme për ta bërë Shqipërinë më të bukur dhe për të mbrojtur natyrën. Nuk mund të jem unë njeriu që betonizon Zvërnecin”, deklaroi kryeministri.
Sipas Ramës, Shqipëria duhet të synojë një kategori më të lartë turistësh që shpenzojnë më shumë, duke argumentuar se resortet luksoze nuk janë vetëm për vizitorët, por ndikojnë drejtpërdrejt te komunitetet lokale.
“Resortet sjellin të ardhura në ekonominë tonë. Ata nuk vijnë në një vend bosh, por konsumojnë produkte vendase dhe krijojnë punësim”, tha ai.
Kryeministri kritikoi gjithashtu kundërshtimet ndaj projekteve që, sipas tij, janë ende në fazën e planifikimit, duke i cilësuar sulmet ndaj tyre si të nxituara. Ai theksoi se investimet e reja turistike duhet të shihen si një mundësi për zhvillimin e vendit.