Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Prindër, shpesh kolla e fëmijës suaj është e shëndetshme

Prindër, shpesh kolla e fëmijës suaj është e
Poeti George Herbert ka shkruar para 400 vjetësh, “dashuria dhe kolla, nuk mund të fshihen”.

Shpesh prindërit shqetësohen kur fëmija tyre kollitet dhe kërkojnë nga mjekët një medikament që ta shërojë menjëherë. Por kur fëmija është në moshë të vogël, gjëja më e mirë është që prindërit të presin që kolla të largohet vet.

Kollitja është një përgjigje refleksi e rrugëve të frymëmarrjes ndaj diçkaje irrituese, një mbrojtje e dobishme e cila ndihmon fëmijët të largojnë çdo mikrob.

Pjesa më e madhe e fëmijëve të cilët kanë kollë, pas një të ftohje apo infeksion viral, i vetmi mjekim është durimi dhe nëse janë mbi një vjeç, një lugë mjaltë herë pas here.

Gjatë viteve të fundit, pediatrit argumentojnë mbi mjekimet që fëmijët duhet të ndjekin kur kanë kollë. Por jo të gjitha kollët janë të njëjta dhe shpesh herë fëmijët duhet të bëjnë më shumë teste, ose të marrin më tepër mjekime.

Kur e shihni që kolla nuk është duke u përmirësuar, duhet t’i kushtohet rëndësi llojit të kollës. Pediatrja Anne Chang, nëpërmjet një studimi ka treguar efektet e kollës kronike te fëmijët dhe si duhet të trajtohen ata fëmijë, të cilëve kolla iu zgjat më tepër se katër javë.

“Rastet më të shpeshta të kollës, ku edhe prindërit vijnë kërkojnë ndihmë mjekësore, ka të bëjë me kollën akute, e cila lidhet me infeksione të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes. Në të shumtën e rasteve, ne i themi prindërve të mos shqetësohen, deri në momentin që kolla zgjat më shumë se katër javë”- thotë Chang.

Gjatë dimrit për fëmijët e vegjël, veçanërisht nëse ata janë në kopsht ose parashkollor, ato katër javë mund të sjellin infeksione të ndryshme të rrugëve të frymëmarrjes e cila shoqërohet me kollë dhe kongjestion.

Sipas Chang, një kollë e thatë shpesh është më pak shqetësuese për infeksione, në krahasim me një kollë të njomë. Një fëmijë i cili ka probleme frymëmarrjeje duhet të vizitohet sa më shpejt nga mjekët.

Chang dhe pediatër të tjerë kanë zbuluar se fëmijët të cilët kanë “kollë të njomë” të vazhdueshme, kanë baktere në mushkëritë e tyre dhe vuajnë nga një sindromë e quajtur bronkit bakterial, i cili kurohet me antibiotik për dy javë.

Për të kontrolluar kollën kronike përdoret skaner i gjoksit dhe një test i quajtur spirometri, i cili bën matjen e ajrit të thithur dhe të nxjerrë.

Pediatri Alan Goldsobel thotë: “nëse është një “kollë e njomë”, mendoni për antibiotik, por nëse është një kollë e thatë, mendoni më tepër për astmën.” Sipas tij një fëmijë i cili kollitet gjithë natën, ka më shumë mundësi të jetë i prekur nga astma.

Studimet kanë treguar se mjekimi më efektiv për fëmijët me kollë, janë ilaçet qetësuese të padëmshme.

Pneumologu Richard Irwin thotë: “Ilaçet që ju blini në farmaci kanë ndikime të dyshimta te fëmijët dhe ato mund të jenë shumë të rrezikshme për fëmijët.”

Studimet kanë treguar se prindërit janë shumë të stresuar e shqetësuar kur fëmija i tyre vuan nga një kollë e vazhdueshme:

“Ne kemi zbuluar se prindërit thonë që cilësia e tyre e jetës është e keqe njësoj si ata prindër, fëmijët e të cilëve vuajnë nga sëmundje kardiake”- thotë Cheng. “Prindërit shqetësohen për fëmijët kur flenë, duke thënë se kolla mund të ketë efekte të dëmshme afatgjata ose të shkaktojë sëmundje të ndryshme. Edhe në ato rastet kur kolla e fëmijëve nuk është e rrezikshme apo shqetësuese”.

Por përsëri prindërit mund të provojnë metodat e vjetra për të qetësuar kollën te fëmija. Nëpërmjet një batanije të ngrohtë, një pjatë supë me pulë dhe t’i lexoni librin e tyre, ju mund t’ia lehtësoni kollën fëmijës suaj./new york times/ dritare.net