
Kuvendi vendos të mos shkarkojë Metën/ Murrizi: Pse u trembën kolegët!
Dritare.net
Kuvendi sot me votën e shumicës, miratoi raportin e Komisionit Hetimor, për të mos shkarkuar presidentin Meta, për shkeljet kushtetuese të zgjedhjeve të 30 qershorit. Murrizi i cili votoi kundër këtij raporti, u shpreh se palët janë ortakë, dhe nuk shkarkojnë njëri-tjetrin.
“Jeni ortakë, nuk shkarkoni njëri-tjetrin. Ju ngritët komisionin, ai thirri 2 marsin dhe ngriti kundërshtarët tuaj. Unë do doja që ata deputetë që firmosën, të votonin për shkarkimin e presidentit Meta. Kolegët u mblodhën dhe firmosën rrufe për ta shkarkuar, por kush i trembi? Ku i keni firmat që do t’i bënit gjëmën presidentit? U zeruat sot. Meta nuk kënaqet as me fitoren në letër, as me përqindjen, as me bashki, ai ka instinkt tjetër dhe po s’e preku me dorë, nuk e quan. Jeni shejtanë e shkuar shejtanit në këtë sallë. Unë do të votoj kundër raportit tuaj, edhe pse nuk kam qenë një ndër firmëtarët për shkarkimin e Metës. Ju e dini vetë pazarin 8 muaj para zgjedhjeve, ku kërkoni një ortakëllik pas muaj-maj të 2021. Presidentin Meta e vlerësoj si heroik për qëndrimin e 2008-ës dhe shpresoj shumë ta përshëndesë 30 korrikun e të mos fshihet. Duhet ta përshëndesësh, sepse shqiptarët presin me padurim të çahet muri i kalbur i këtyre 30 viteve”, tha Murrizi sot në Kuvend./L.F-dritare.net

















