Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Panairi i Librit/ Te Toena

Panairi i Librit/ Te Toena

Nga Dritare.net

Nëse shkoni tek Panairi i Librit 2017, nuk mund të dilni kurrsesi pa vizituar stendën e shtëpisë botuese Toena. Aty në këndin e veçantë e të dukshëm nga publiku, do të gjeni gjithçka, romane, poezi, libra historie, libra për fëmijë, libra kuzhine. Mjaft surpriza rezervon Toena këtë vit për lexuesit shqiptarë, sepse ajo vlerëson traditën dhe promovon risitë.

Botuesja Irena Toçi, thotë për Dritare.net, se Toena sjell disa libra, që vijnë për herë të parë në këtë panair. Por, mbi të gjitha sjell autorët e tyre, të cilët  mund t’i takoni gjatë promovimit në këtë stendë.

“Ka një sërë librash të rinj, që sjell Toena këtë vit dhe midis tyre unë do të doja të veçoja dy libra nga një autor shumë i njohur dhe me famë botërore, me origjinë nga Brazili, Paulo Coelho. Njëri nga librat e tij, “Spiunia”, po shfaqet për herë të parë në këtë panair, ndërsa “Dorëshkrimi i gjetur në Akra” e kemi botuar disa muaj më parë, por gjithsesi është libër i ri, sepse vjen këtë vit.

Kemi mjaft  libra të rinj nga letërsia e huaj dhe mjaft të rëndësishëm. Midis tyre, një roman të titulluar “Nagasaki”, të Eric Faye, të cilin e kemi ftuar edhe në panairin e librit. Është i pranishëm në stendën tonë, do të promovohet këtu dhe lexuesit shqiptarë do të kenë mundësi ta takojnë nga afër, t’i marrin autografë dhe të dëgjojnë Romani i tij “Nagasaki”, është romani që mori çmimin e madh të romanit, nga Akademia Franceze në vitin 2010 dhe ishte kjo një nga arsyet pse ne zgjodhëm për ta sjellë në shqip kaq shpejt.

Përveç kësaj vjen një libër i ri nga Alberto Cohen, edhe ky një autor francez mjaft i njohur dhe mjaft i dëgjuar. Vjen pikërisht në stendat e këtij panairi dhe këtu u publikua për herë të parë dhe këtu lexuesit do ta prekin për herë të parë. Titullohet “Libri i nënës sime” dhe mund ta gjeni në stendën e Toenës.

Nga letërsia e huaj kemi edhe një autore të madhe greke, shumë e lexuar dhe e popullarizuar në Greqi, Lena Manda. Është absolutisht autorja më e lexuar në 10 vitet e fundit, me mbi 2 milionë kopje të shitura gjatë këtyre viteve. Është bërë e pasur nga libri dhe kjo duhet mbajtur parasysh, për të dëgjuar rrëfimin e saj. Ajo do të jetë e ftuar speciale e “Toenës”, ditën e premte, në orën 13:00. Do të promovojmë librin e saj të fundit, por jo të parin për Toenën, pasi është i pesti nga radhët e saj, “Theanoja, ujkonja e Stambollit”. Kjo është një autore triller, bestseller e këtij 10 vjeçari, sjell në këtë libër të ri, një histori shumë të dhimbshme, për sa i përket popullit grek.

Ka edhe autorë të tjerë të mëdhenj si Rosamunde Pilcher, që nuk e sjellim për herë të parë në shqip me “Solstici dimëror” apo Eric Emmanuel Schmitt  me “Helmi i dashurisë” apo Sarah Dessen me “Kjo ninullë”. Ka një shumësi librash që shfaqen për herë të parë vetëm në këtë panair.”

Nuk mungojnë as autorët shqiptarë, mjaft të preferuar nga kjo shtëpi botuese. Për këtë panair vijnë me librat e tyre të rinj, dy politikanët, Besnik Mustafaj dhe Namik Dokle, tashmë në rolin e poetit dhe romancierit.

“Nga autorët shqiptarë do të doja të përmendja në mënyrë të veçantë të paktën dy tre prej tyre, duke e nisur me Besnik Mustafajn dhe me librin e tij të ri me poezi, “Biri i Adamit”, që vjen 30 vjet pas botimit të mëparshëm të librit të tij me poezi. Mustafaj troket me një libër tjetër me shumë pretendime.

Përveç tij, Namik Dokle na beson sërish, madje shumë shpejt, duke pasur parasysh botimet e tij të mëparëshme. Ishim mësuar ta shihnim Namik Dokle të botonte drama, por dy vitet e fundit ai ka botuar 2 romane. Të parin “Vajzat e Mjegullës”,që të them të drejtën është kërkuar shumë nga lexuesi në të gjithë Shqipërinë, dhe ky I dyti me “Lulet e skajbotës”, që vjen për herë të parë në stendat e këtij panairi.”

Shtëpia botuese Toena surprizon lexuesit e saj, duke iu ofruar një mundësi të mirë, për të marrë librat që duan. Për herë të parë, këtë vit kjo shtëpi botuese ofron libra me 50% ulje, për t’u siguruar që librat më të mirë, të shkojnë në dorën e lexuesit.

“Është hera e parë që praktikojmë një zbritje prej 50%, për librashumë të mirë, por që lexuesit nuk kanë pasur mundësi për t’i blerë, për arsye nga më të ndryshmet, ndoshta edhe ekonomike. Në një nga këndet e stendës tonë, janë të shfaqur këta libra, që janë me të vërtet të zgjedhur nga ana jonë. 50% nuk do të nënkupton vlerën e tyre të vërtetë. Nuk është një nënvlerësim, por një vlerësim më i madh për ta, në mënyrë që të shkojë në dorën e njeriut të duhur.”

Përveç kësaj, kjo shtëpi botuese ofron aktivitete të ndryshme, duke iu ofruar momente të veçanta  libradashësve. Si asnjë shtëpi tjetër botuese, Toena është gjatë gjithë ditëve të panairit, duke zhvilluar promovimet e librave të rinj. Lexues të të gjitha moshave, mund të gjejnë veten, duke u bërë pjesë e aktiviteteve promovuese.

“Ne përpiqemi që të tërheqim në stendën tonë vazhdimisht lexues, me 1001 mënyra, duke nisur që nga promocioni, për të cilin kemi një mënyrë të veçantë dhe nuk e praktikon asnjë njeri në panair.

Kemi promocion gati çdo një orë këtu. I drejtohemi një publiku të ndryshëm, jo gjithmonë të së njëjtës moshë, siç kishim sot nxënës të një shkolle të mesme dhe një gjimnazi, pjesë të klubit të leximit të librit të këtyre shkollave, të cilët janë më afër librit. Ne e kemi praktikuar këtë metodë edhe në vitet e tjera, edhe me fëmijë akoma më të vegjël të kopshtit apo parashkollor, të cilët kanë nevojë që të gjenden në një mjedis ku ka vetëm libra, jo vetëm të shikojnë një libër të caktuar, por edhe të gjenden në këtë atmosferë të bukur të panairit të librit.”

Kush e ka lexuar Paulo Coelhon, “Zahiri”, apo “Alkimisti”, kurrsesi nuk mund të rrijë pa lexuar librat e tij të radhës. Panairi qëndron i hapur deri më 19 nëntor, ju duhet vetëm të zgjidhni të lexoni dhe përjetoni magjinë me librat e Toenës./Dritare.net