Na ndiqni edhe në

Opinione

Qielli sheh gjithçka

Qielli sheh gjithçka

Nga Xhensil Shkëmbi
Teksa kthehesha nga Kolonja, pas perëndimit qielli mori këtë pamje. Sikur ishte gati të nxirrte flakë. Ndaloj, dal jashtë makinës, ndeza një cigare dhe po filloja të mendoja;
-Sa shumë fort punon njeriu, sikur do jetojë përjetë. Sa shumë zihet, sikur do jetojë përjetë. Sa shumë hipokrizi ka, sa smirë ka, sa inat ka, sa xhelozi ka, sa intriga ka, sa poshtërsi ka, mbase ngaqë mendon se do jetojë përjetë.
Sot Gert Bogdani teksa varrosej, a pa gjithçka ndodhte rreth trupit të tij që nuk frymonte më? Çfarë mund të ketë qënë duke menduar nga qielli teksa shihte gjithë skenën?
Atë politikanin që aq shumë e sulmoi Gertin dhe sot shkonte "me lot në sy" për vajtimi e tij, atë kolegun që bëri gjithçka që Gerti mos ishte më deputet, atë maskarain që në çdo kafe që ulej thoshte se familja e Gertit është e blerë nga Soros, e shoqja tjetër kund dhe Gerti tjetër kund. Do ketë parë njerëzit që bënë gjithçka ta hiqnin nga jeta aktive politike, do ketë parë me siguri edhe mediat që sot bënë zhurmë por nesër fokusin e kanë tjetër kund.
Aty do ketë parë dhe Edlirën. Fëmijët. Familjarët. Shokët. Kushedi ç'do ketë menduar. Sa pendim do ketë patur që nuk u kushtoi më tepër kohë, më tepër vëmendje. Sa pendim që ishte marrë me këta maskarenjtë që sot shtiren e sa zemërkëputur që nuk qëndroi pak më tepër, vetëm pak më tepër me të dashurit e vet. Askush më tepër se ta nuk e meritonte kohën e Gertit.
Kështu mbase ndodh me të gjithë ne. Me qenien njerëzore. Shqetësohemi aq shumë sa mbase harrojmë dhe vet përjetësinë. Mërzitemi e ndahemi e harrojmë se sa të përkohshëm jemi nën qiell.
Nuk e kisha thithur më tepër se njëherë cigaren, por ishte djegur vet, aq sa filloi me digjte dhe dorën. Teksa e hodha poshtë, me vete thashe se Gerti pa gjithçka, Zoti pa e di gjithçka, QIELLI SHEH GJITHÇKA...
Reflektim
Kolonjë, foto shkrepur sot./Marrë nga Facebook-u i autorit