Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Trump: Zelensky do të heqë dorë nga Krimea

Trump: Zelensky do të heqë dorë nga Krimea

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se mendon që homologu i tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, është i gatshëm t’ia lëshojë Krimenë Rusisë si pjesë të një marrëveshjeje paqeje - pavarësisht refuzimeve të mëparshme të Kievit për çdo propozim të tillë.

I pyetur nëse mendonte që presidenti ukrainas ishte gati të lëshonte kontrollin e gadishullit të tij jugor, i cili u aneksua në mënyrë të paligjshme nga Rusia në vitin 2014, Trump u përgjigj: “Mendoj se po”.

Trump gjithashtu i kërkoi Presidentit rus Vladimir Putin të “ndalojë sulmet, të ulet dhe të nënshkruajë një marrëveshje” për t’i dhënë fund luftimeve, duke sugjeruar që kjo mund të arrihet brenda dy javësh.

Ai i bëri komentet për gazetarët pasi u kthye nga Vatikani, ku zhvilloi një takim të shkurtër me Zelenskyn para funeralit të Papa Françeskut. Trump tha se takimi kishte shkuar mirë dhe se për Krimenë ishte diskutuar shumë shkurt.

Ai tha gjithashtu se Zelensky tani dukej “më i qetë”.

Ukraina ka refuzuar vazhdimisht të bëjë çdo lëshim territorial, duke theksuar se çështjet në lidhje me tokën duhet të diskutohen vetëm pasi të arrihet një armëpushim.

As Zelensky dhe as Presidenti rus Vladimir Putin nuk i janë përgjigjur publikisht komenteve të fundit të Trump.

Më herët të dielën, Ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius e paralajmëroi Ukrainën të mos binte dakord për një marrëveshje që përfshin lëshime të gjera territoriale në këmbim të një armëpushimi.

Ai i tha transmetuesit publik gjerman ARD se Kievi "nuk duhet të shkojë aq larg sa propozimi i fundit nga presidenti amerikan", i cili sipas tij do të përbënte një "kapitulim".

Trump tha javën e kaluar se shumica e pikave kryesore të marrëveshjes janë rënë dakord. Raportet sugjerojnë se Ukrainës mund t'i kërkohet të heqë dorë nga pjesë të mëdha të tokës së sekuestruar nga Rusia, përfshirë Krimenë.

Në një intervistë me revistën Time këtë javë, Trump fajësoi përsëri Kievin për fillimin e luftës, duke përmendur ambiciet e saj për t'u bashkuar me NATO-n.

Presidenti amerikan i tha gjithashtu Time: "Krimea do t'i mbetet Rusinë".

Të dielën, Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, i kërkoi Rusisë dhe Ukrainës të ecin përpara për të siguruar një marrëveshje paqeje.

"Duhet të ndodhë së shpejti", tha Rubio për NBC.

Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar së fundmi se do të tërhiqen nga negociatat nëse nuk do të arrihet përparim.

Rusia nisi një pushtim në shkallë të plotë të Ukrainës në vitin 2022, dhe Moska aktualisht kontrollon pothuajse 20% të territorit ukrainas./L.F-dritare.net