
Tritan Kalo: Virusi po na mposht, duhet të luftojmë për një fitore!
Dritare.net
Tritan Kalo, mjeku i njohur infeksionist, sot përmes një mesazhi optimist, shkruan se çdo sfidë në jetën e njeriut, e ka një zgjidhje. Ndaj edhe lufta me Covid-19, shkruan ai në rrjetet sociale, do ta ketë fundin, po për këtë duhet të luftojnë të gjithë. Ndaj ai edhe një herë bën thirrje që gjithkush të ndihmojë, të zbatojë masat, në mënyrë që në fund të kësaj beteje të fortë për botën, te jemi të fituar.
"Miq, dashamirës dhe bashkëkombës. Ju respektojmë, ju duam, ju dëgjojmë, ju ndihmojmë dhe kujdesemi për ju në çdo kohë e në çdo rrethanë. Duajeni dhe respektojeni sa më shumë jetën tuaj dhe të afërmve të juaj. Çdo e keqe herët apo më vonë e ka patur dhe do ta ketë një zgjidhje. Ndër shekuj njerëzimi ka mundur kurdoherë të ngadhënjejë ndaj çdo sfide që ka rrezikuar ekzistencën e “Homo sapiens”. Kolera, Murtaja, Ebola, Ethet Hemorrhagjike të Kongo-Krimesë, Malaria, Tuberkulozi, Lepra, Variola, Fruthi, Rubeola, Pertusi, Tërbimi, Tetanosi, Poliomieliti, Gripi Spanjoll, Gripi i Derrit, Sars-Cov1, MERS, etj, janë kapituj të kësaj beteje për mbijetesën e vetë qenies sonë….Bashkë me mirëbesim reciprok ne do ia dalim me siguri mbanë edhe ndeshjes me sfidën ndaj Sars-Cov-2/Covid-19", shkruan Kalo./L.F-dritare.net

















