Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Tatimet publikojnë afatet për 'Paqen Fiskale', bizneset deri më 5 qershor për aplikimet!

Tatimet publikojnë afatet për 'Paqen Fiskale', bizneset deri

Bizneset që duan të përfitojnë nga “Marrëveshja e Paqes Fiskale” për vitin tatimor 2026 kanë vetëm 22 ditë kohë për të aplikuar në administratën tatimore. Procesi ka nisur më 15 maj dhe mbyllet më 5 qershor 2026, ndërsa aplikimet e dorëzuara pas këtij afati do të refuzohen.


Pas miratimit të udhëzimit të Ministrisë së Financave, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka publikuar procedurat e detajuara për mënyrën si do të zbatohet “Paqja Fiskale”, afatet e aplikimit dhe dokumentacionin që duhet të dorëzojnë bizneset.


Sipas udhëzimit, aplikimet do të kryhen online në sistemin “e-Filing”, ku do të jetë aktiv shërbimi “Aplikim për Marrëveshjen e Paqes Fiskale”. Tatimpaguesit duhet të plotësojnë formularin elektronik dhe të ngarkojnë dokumentet përkatëse në rubrikën “Çështjet e mia” → “Pyetje e përgjithshme”.

Dokumentacioni që duhet të ngarkohet përfshin:
- Formularin e aplikimit
- Vërtetimin nga Prokuroria
- Dëshminë e penalitetit
- Vërtetim nga Drejtoria e Apelimit Tatimor
- Vetëdeklarimet përkatëse
Aplikimi konsiderohet i dorëzuar vetëm pasi sistemi konfirmon regjistrimin dhe gjeneron numrin unik të çështjes. Udhëzimi përcakton se në rastet kur konstatohet mungesë dokumentacioni apo pasaktësi në të dhëna, biznesi do të njoftohet elektronikisht dhe do të ketë 3 ditë pune kohë për plotësimin e tyre. Në të kundërt, aplikimi refuzohet.


Brenda 5 ditëve kalendarike nga aplikimi, por jo më vonë se 10 qershor 2026, administrata tatimore do t’i komunikojë subjektit vendimmarrjen për pranimin ose jo të kërkesës. Në rast miratimi, hartohet “Marrëveshja e Paqes Fiskale”, e cila nënshkruhet nga drejtoria rajonale tatimore dhe i vihet në dispozicion biznesit në sistemin elektronik.

Më pas, bizneset kanë afat deri më 15 qershor për të dorëzuar marrëveshjen e nënshkruar në “e-Filing”, ndërsa deri më 30 qershor duhet të kryejnë pagesën e tatimit dhe të dorëzojnë pasqyrat financiare të rideklaruara për vitet 2023, 2024 dhe 2025.

Pasqyrat financiare duhet të dorëzohen në format PDF dhe Excel, të nënshkruara nga administratori ose personi fizik, ndërsa për çdo ndryshim të bërë kërkohen edhe shpjegime sipas legjislacionit të kontabilitetit.

Udhëzimi i Ministrisë së Financave që i hap rrugën zbatimit të ligjit të ‘Paqes Fiskale’ specifikon që të gjitha subjektet që realizojnë të ardhura bruto mbi 14 milionë lekë, dhe nuk kanë përfituar nga ndonjë normë e reduktuar apo përjashtim tatimor do kenë mundësi të aplikojnë për lidhjen e marrëveshjes së paqes fiskale.

Ligji për “Marrëveshjen e Paqes Fiskale’, ishte pjesë e programit qeverisë në zgjedhjet elektorale të 2025-ës dhe u miratua me 75 vota pro, 20 kundër dhe 0 abstenim në 12 dhjetor 2025.