
Spartak Ngjela: Berisha fajtor. Çoi për skrap, 500 fabrika dhe uzina
Dritare.net
Avokati Spartak Ngjela i ftuar në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga tha se Sali Berisha është fajtor për shkatërrimin e 500 fabrikave e uzinave dhe për dëmin ekonomik që i shkaktoi Shqipërisë dhe shqiptarëve.
“Shitja e fabrikave dhe uzinave është një krim i parashikuar nga neni 208 i Kodit Penal, i cili flet për dorëzimin e territorit një shteti të huaj me qëllim cenimin e pavarësisë dhe integritetit të Shqipërisë.
Prandaj duhet të kuptohemi se prishja e 500 fabrikave dhe uzinave janë territor i gjerë i Shqipërisë, i cili i është dhënë një shteti të huaj për t'i cenuar integritetin kombëtar me anë të një dëmi të madh ekonomik.
Dhe ky dëm ekonomik e ka dëmtuar shumë Shqipërinë në funksion të ripërtëritjes së saj kombëtare, e cila nuk është kryer ende sot, edhe pse kanë kaluar 32 vjet.
Ata prishën uzinat e fabrikat dhe i çuan për skrap në vend që t’i privatizonin dhe t’i blinte privati. Dëmtuan ekonomikisht me qëllim. Cila ka qenë arsyeja pse u shitën dhe nuk u privatizuan, për këtë kërkoj një hetim. Ata mbyllën çdo gjë industriale. Ndërsa presidenti Meksi është milioner. Tjetri ka marrë prona dhe ka bërë pallate. Banditët që i kanë bërë këtë të keqe të madhe Shqipërisë, janë nëpër këmbë në administratën e lartë shtetërore. Janë bërë milionerë. T’u marrin paratë që të dëmshpërblejnë dëmin e shoqërisë shqiptare, se me këto afera i kanë bërë milionat e tyre dhe me skandale të tjera të pronës shtetërore që ata e bënë si deshën vetë.”, tha zoti Ngjela në DritareTV./K.C/dritare.net

















