
Skandali me kërkesën për vizë të Berishës! Denoncimi i gazetarit
Dritare.net
Gjatë emisionit Dekalog me Roland Qafokun, gazetari Flamur Vezaj nga SHBA deklaroi se disa nga firmat në dokumentin e paraqitur për të mbështetur kërkesën për vizë të Sali Berishës janë të falsifikuara.
Sipas Vezajt, disa prej organizatave të renditura në dokument kanë mohuar që kanë firmosur ndonjëherë, ndërsa disa “shoqata” rezultojnë të jenë entitete fiktive pa regjistrim ligjor në SHBA, të krijuara vetëm në Facebook.
Vezaj shtoi se disa persona kanë paralajmëruar kallëzim penal në FBI për falsifikim firmash – një krim federal në SHBA. Nëse konfirmohet, ky skandal mund të përbëjë një tjetër goditje për imazhin e ish-kryeministrit dhe liderit të Partisë Demokratike.
"Në lidhje me kërkesën për vizë në Departamentin e Shtetit. E di çfarë ka ndodhur? Disa nga ato firmat aty nuk janë të sakta, janë të falsifikuara…
Aty janë renditur disa shoqata, të cilat thonë që kanë firmosur për Sali Berishën, për t’i dhënë vizën në Departament të Shtetit. Deri tani, unë kam konfirmuar tre prej tyre, të cilët kanë mohuar që janë firmëtarë të atij dokumenti.
Ky është krim federal në Amerikë dhe disa nga këta persona më kanë njoftuar që do të bëjnë kallëzim në FBI për falsifikim të firmave.
Përveç kësaj, disa nga firmëtarët me të cilët kam kontaktuar, dhe janë organizata të rëndësishme, kanë mohuar që janë firmëtarë të atij dokumenti.
Përveç kësaj, fatkeqësisht disa nga ato emra që janë vendosur aty – emra shoqatash, ku e di unë se çfarë – janë fiktive.
Janë disa individë, të cilët kanë hapur një shoqatë në Facebook dhe nuk janë të regjistruar në asnjë institucion amerikan si shoqatë, nuk kanë anëtarësi, nuk kanë kryesi…
Dhe thjesht janë anëtarë ose shoqatë Facebook-u, kanë firmosur në atë dokument për të thënë që është një komunitet i madh dhe i gjerë."/E.P-dritare.net

















