
Studiuesi Mark Palnikaj i ftuar në emisionin Shqip nga Dritan Hila në DritareTV sqaron se si funksiononte Kanuni dhe institucioni i Besës dikur në Shqipëri. Ai tregon se kur një malësor donte të merrte në besë dikë, i vendoste një degë peme nga mbrapa dhe gjakësit nuk e vrisnin dot. Besa për malësorët, thotë Palnikaj, nuk ka qenë krijesë koti, por ka qenë një mekanizëm që ka sjellë shumë të mira që mos vriteshin njerëzit.
"Në besë mund të merrnin edhe gratë malësore. Dikur gratë hynin ndërmjet burrave dhe nuk kishte kush të drejtë ta vriste gruan. Ka pasur autoritet të padiskutueshëm. Kishte të drejtë të marrë në besë. Besa për malësorët nuk ka qenë krijesë koti, por ka qenë një mekanizëm që ka sjellë shumë të mira që mos vriteshin njerëzit. Sepse marrja e gjakut te njerëzit e afërm të atij që kishte bërë vrasjen është e dënueshme kudo në botë.
Një malësor kur donte të merrte në besë një njeri, thyente një degë pemë dhe ia vendoste mbrapa xhaketës. “Ti je në besë time.” , i thoshte. Nëse gjakësit i zinin pritë, nëse e kishte atë degën që i kishte vënë ai, pavarësisht se ai nuk ishte me aty, ata nuk të vrisnin dot. Nëse ndodhte ta vrisnin, deri aty shkonte besa.
Besa ka qenë një institucion për të krijuar një mundësi për të lëvizur lirshëm. Që në mesjetë, 1640, 7 ditë para dhe 7 ditë mbrapa një feste ishte amnistie e përgjithshme, nuk guxonte kush me marr gjak. Kjo ka qenë licencë, metodë për t’i dhënë liri të ngujuarve.", tregon studiuesi Mark Palnikaj në DritareTV./K.C/dritare.net

















