
Shqipja përballë greqishtes dhe latinishtes. Si mbijetoi!
Dritare.net
Në episodin e radhës të ciklit “Gjuha shqipe” në Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTv ishte i ftuar historiani i gjuhës Seit Mansaku për të folur mbi historinë e gjuhës sonë të dashur. Profesor Mansaku tregon luftën e shqipes për të mbijetuar ndërsa ishte përballë latinishtes dhe greqishtes. Ndonëse ishte mes dy fuqive të mëdha, thotë profesor Mansaku, shqipja mundi t’i rezistojë kohës dhe nuk u asimilua. Historiani tregon disa veçori të gjuhës shqipe, që e bënë të vështirë asimilimin e saj.
“Shqipja ka një paradoks në historinë e saj. Është një gjuhë e lashtë, por është dokumentuar me shkrim vonë. Pushtimet e herëpashershme të vendit, nuk e kanë lënë të marrë frymë gjuhën shqipe. Si ka mundësi që nuk u shkrua gjuha shqipe, kur ndodhej midis dy kulturave të mëdha, kultura greke dhe asaj latine, gjuhë të shkruara prej kohësh? Këto kultura nuk kanë qenë faktorë pozitivë për ta shkruar gjuhën shqipe. Por them që kanë qenë faktorë pengues. Sepse që nga fillimi i epokës së pas Krishtit, Shqipëria ishte e pushtuar nga Perandoria Romake, deri nga shekulli i IV. Pastaj kur u nda Perandoria Romake në dy pjesë, të lindjes dhe perëndimit, Shqipëria i takoi lindjes me kryeqytet Bizantin, serish nën ndikimin e kulturës greko-bizantine. Pastaj erdhën sllavët, osmanët. Administrata e kohës që kishte edhe shqiptarë midis tyre, po përdornin si gjuhë zyrtare latinishten dhe më vonë greqishten. Ata që e kishin në dorë ta shkruanin që kishin formim intelektual, nuk e përdornin. Duke mos pasur shkolla që të shkruhej një gjuhë, duhet të kishe edhe njerëzit që ta lexojnë, pra kujt i drejtohesh. Prandaj shqipja ka mbijetuar më shumë si gjuhë e folur. Por është për t’u mburrur që shqipja mundi t’i shpëtojë asimilimit se mund të zhdukej fare pas gjithë atyre pushtimeve me sundues të fuqishëm, me gjuhë dhe kultura të nivelit botëror, siç ishte latinishtja apo greqishtja. Por shqipja mundi të rezistojë. Shqipja midis dy fuqive të mëdha mundi t’i rezistojë kohës. Por si? Këtë janë munduar ta shpjegojnë me faktorin gjeografik. Një faktor është se u ruajt në shumë vende malore, ato larg qytetit, larg ndikimeve të drejtpërdrejta të Romës dhe Bizantit. Një faktor është edhe karakteri konservator i shqiptarit për të mbrojtur gjënë e vet. Albanologët e huaj që kanë shkruar për shqipen, i paraqesin shqiptarët si një popull konservator që e ka ruajtur kulturën e tyre, zakonet, gjuhën më shumë se çdo popull tjetër në Ballkan.
Kjo ka ndikuar edhe në ruajtjen e gjuhës. Një faktor mund të jetë që shqipja është një gjuhë shumë e veçantë në familjen e gjuhëve indoevropiane, prandaj nuk ishte kollaj që ta asimiloje se kishte veçoritë e veta, të formuara që mund t’i bënin ballë. Sepse kur takohen dy gjëra të kundërta nuk është e lehtë që ta asimilojnë njëra-tjetrën. Nuk do të thotë që nuk pësoi ndryshime, sepse kontaktet me greqishten dhe latinishten bënë punën e tyre, por jo në atë shkallë që shqipja të asimilohet. Shqipja ka mbetur gjuhë e veçantë që e ka tërhequr vëmendjen e studiuesve shumë herët. Edhe përpara se të lindë gjuhësia historike krahasuese. Pra të huajt janë marrë shumë me shqipen, për të caktuar me cilat gjuhë ka afërsi, pavarësisht se në vështrimet e para edhe kanë gabuar.”, u shpreh historiani i gjuhës në DritareTv./K.C/dritare.net

















