Robert Ndrenika dhe Gaz Paja në Gjykatë në mbështetje të Erion Veliajt
Dritare.net

Dy aktorët Robert Ndrenika dhe Gaz Paja janë paraqitur në Gjykatën Administrative për të ndjekur seancën gjyqësore të kryebashkiakut të Tiranë, Erion Veliaj, kundër prokurorit Ols Dado.

Veliaj mbërriti sërish personalisht në ambientet e gjykatës për të marrë pjesë në procesin gjyqësor, ku kërkon shpalljen e pavlefshme të emërimit të Ols Dados si prokuror në vitin 2008. Sipas padisë, kryebashkiaku pretendon se Dado nuk ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës dhe, për pasojë, nuk ka përmbushur kriteret ligjore për t’u emëruar prokuror.
Në momentin e mbërritjes në gjykatë, Veliaj u pa duke mbajtur në dorë librin në gjuhën angleze të autores Naomi Alderman me titull “Mos digjni askënd në turrën e druve sot”.
Në seancë, në mbështetje të Veliajt ishin të pranishëm edhe aktorët Robert Ndrenika dhe Gaz Paja.

Një ditë më parë, avokati i Veliajt, Plarent Ndreca, deklaroi se po tentohet mbyllja e çështjes ndaj prokurorit Dado përmes procedurave dhe pa një shqyrtim në themel. Sipas tij, edhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë është bërë pjesë e një “harmonie institucionale” për të mos lejuar vijimin normal të procesit.

Nga ana tjetër, avokati mbrojtës i Ols Dados i ka kërkuar gjykatës rrëzimin e padisë, duke argumentuar se procesi penal ku Veliaj është i pandehur nuk ndikohet nga pozicioni i Dados, pasi çështja ndiqet edhe nga një prokuror i dytë, Altin Dumani./L.F-dritare.net