
Rama: Tiranës i mungon drejtimi. Hapësirat publike kërkesa kryesore, nis kontrolli me dronë
Dritare.net
Në rubrikën Sy m'Sy kryeministri Edi Rama ka folur sot në lidhje me situatën aktuale në kryeqytet, duke theksuar mungesën e drejtimit institucional në Tiranë dhe duke paralajmëruar masa të reja për kontrollin dhe monitorimin e territorit. Në një deklaratë të gjatë për mediat, Rama theksoi se qytetarët po kërkojnë në mënyrë të përsëritur çlirimin e hapësirave publike, një shqetësim që ai e ka dëgjuar në çdo cep të Tiranës.
“Tiranës i mungon drejtimi, dhe kjo është një histori më vete, për një ditë tjetër,” tha Kryeministri, duke lënë të kuptohet se situata kërkon zgjidhje të thellë dhe të strukturuar. “Kërkesa numër një që kam dëgjuar kudo në kryeqytet është: na çlironi hapësirat publike,” shtoi ai.
Sipas Ramës, ndonëse është bërë përparim krahasuar me vitet e kaluara, problemi i shfrytëzimit dhe keqmenaxhimit të territorit mbetet ende i pranishëm. “Nuk është gjithmonë kështu, por ka ende për të bërë. Nuk jemi më në pikën ku ishim, por organizimi duhet çuar në një nivel tjetër,” u shpreh ai.
Për të përballuar këto sfida, qeveria po përgatitet të zbatojë një sistem të avancuar të monitorimit teknologjik të territorit, që përfshin përdorimin e dronëve dhe qendrave të vëzhgimit digjital. Rama përmendi gjithashtu se tashmë është prezantuar Qendra e Monitorimit të Trafikut, ndërkohë që pritet të nisë edhe monitorimi i shkollave dhe territorit në mënyrë të strukturuar.
“Do të ndjekim gjithçka që ndodh në territor përmes dronëve dhe informacionit që ata do na sjellin. Kjo do të bëjë që puna e inspektorëve të ballafaqohet me vëzhgimin teknologjik. Do na çojë në një nivel tjetër dhe do garantojë që progresi i arritur nuk do të kthehet mbrapa,” përfundoi Rama./L.F-dritare.net

















