Rama në Kuvend: PS e vetmja garante e pavarësisë së drejtësisë!
Dritare.net

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se vendi ynë ka hyrë në një fazë vendimtare të zhvillimit dhe reformave, pas samitit të mbajtur në Bruksel, ku Shqipëria u vlerësua me nota shumë pozitive për përmbushjen e detyrave të parashikuara nga plani i ri i rritjes.
Në fjalimin e tij, Rama theksoi se hapja e të gjithë kapitujve të negociatave dhe përparimi në përmbushjen e kërkesave të samitit tregon se Shqipëria po ecën me hapa të sigurt drejt integrimit europian. Ai shtoi se Sqhipëria është sot “në vendin e parë” për realizimin e reformave, duke përfshirë drejtësinë, luftën kundër korrupsionit dhe respektimin e pavarësisë së pushtetit gjyqësor.
“Shqipëria nuk ndalet, sepse kemi hyrë në një fazë vendimtare, që dje mori shtysë të re në Bruksel, ku jo vetëm hapëm të gjithë kapitujt e negociatave, por u vlerësuam me nota shumë pozitive. Ky sukses nuk vjen rastësisht; është rezultat i qëndrimit tonë strikt ndaj detyrave dhe implementimit të të gjitha reformave të parashikuara nga plani i ri i rritjes, për të cilin do të mbahet samiti këtu në Tiranë.
Jemi vlerësuar posaçërisht për atë që shpesh kritikohemi: drejtësinë, respektin ndaj pavarësisë së pushtetit të drejtësisë dhe luftën kundër korrupsionit. Shqipëria, për herë të parë në histori, heton pa dallim dhe vendos standarde të reja për transparencën dhe llogaridhënien.
Merita ekskluzive për këtë progres historik i takon Partisë Socialiste, e cila ka qenë garantja e pavarësisë së drejtësisë. Parafytyroni vetëm për një moment se si do ta përplasnin drejtësinë e pavarur ata që për një kohë të gjatë përplasnin vetëm veten. Shqipëria është në rrugën e duhur dhe nuk ndalet!”./L.F-dritare.net