Prokuroria e Përgjithshme: Gjyqtarja Irena Gjoka e dënuar në Greqi për falsifikim vize
Dritare.net

Pas një verifikimi që zgjati rreth dy vite, Prokuroria e Përgjithshme ka përfunduar hetimin administrativ për gjyqtaren e posaçme Irena Gjoka, duke konkluduar se ajo ka qenë e dënuar në Greqi në vitin 2005 për falsifikim vize, dënim që nuk është deklaruar në formularin e vetëdeklarimit në kuadër të ligjit të dekriminalizimit.
Rezultati i verifikimit i është përcjellë Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) vetëm një ditë më parë, i cili tashmë do të vendosë mbi fatin e Gjokës, duke vlerësuar nëse ajo ndodhet ose jo në kushtet e ndalimit për ushtrimin e funksionit të gjyqtares, sipas parashikimeve të ligjit nr. 138/2015.
Prokuroria e Përgjithshme i ka dërguar KLGJ-së vendimin autentik të dënimit, si edhe vendimin e autoriteteve greke për arkivimin e tij, i cili është marrë për shkak të mos ekzekutimit të dënimit ndaj Gjokës.
Procesi i verifikimit të thelluar është regjistruar më 8 maj 2024 në Sektorin e Dekriminalizimit të Prokurorisë së Përgjithshme, me kërkesë të Komisionit të Zhvillimit të Karrierës pranë KLGJ-së. Verifikimi kishte si objekt deklarimet e bëra në Formularin e Vetëdeklarimit të datës 22.04.2016, për subjektin Irena Gjoka (Shpata, Maneku), gjyqtare në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).
Pas kryerjes së të gjitha verifikimeve të mundshme brenda dhe jashtë vendit, më 19 janar 2026, Prokuroria e Përgjithshme ka miratuar përfundimisht rezultatet dhe ia ka përcjellë ato KLGJ-së, si organi përgjegjës për vlerësimin e kushteve të ndalimit, në zbatim të ligjit të dekriminalizimit dhe vendimeve përkatëse të Kuvendit.
Vendimi përfundimtar mbi qëndrimin ose jo të Irena Gjokës në sistemin e drejtësisë pritet të merret nga Këshilli i Lartë Gjyqësor./L.F-dritare.net