Polakja që zgjodhi Shqipërinë: Mos ikni, ndërtojeni vendin tuaj!
Dritare.net

Iwona Rrapaj, një e re nga Polonia, prej shtatë vitesh e ka lidhur jetën me Shqipërinë, ndërsa prej katër vitesh jeton në mënyrë të përhershme në Vlorë, qytetin ku u dashurua dhe vendosi të ndërtojë të ardhmen e saj. Vendimi për t’u vendosur përfundimisht në Shqipëri erdhi pas pandemisë dhe nisjes së luftës në Ukrainë, një moment që, sipas saj, e bëri të reflektojë për vendin ku donte të jetonte dhe të kontribuonte.
Në një rrëfim të sinqertë për gazetaren e DritareTV, Lorena Fjolla, Iwona jep një mesazh të fortë për të rinjtë shqiptarë, duke i ftuar të mos largohen nga vendi i tyre:
“Shqipëria ka nevojë për njerëzit e saj. Nëse të gjithë largohen, kush do ta ndërtojë këtë vend?”
Ajo thekson se, ndonëse e kupton dëshirën për një jetë më të mirë jashtë, realiteti në vendet e Bashkimit Evropian nuk është aq i lehtë sa duket:
“Në Evropë jeta është shumë më e shtrenjtë. Paguajmë më shumë për gjithçka, qira, energji, ushqim. Këtu mund të jetosh më thjeshtë dhe më qetë.”
Sipas saj, Shqipëria ndodhet në një moment zhvillimi të shpejtë dhe ofron mundësi reale për ata që duan të ndërtojnë diçka:
“Nëse do të ndërtosh diçka, mund ta nisësh edhe nga e vogla. Ky vend po rritet dhe ka nevojë për njerëz që investojnë dhe punojnë këtu.”
Ajo vëren gjithashtu një problem serioz me mungesën e fuqisë punëtore, sidomos në sektorin e shërbimeve:
“Restorantet hapen çdo ditë, por nuk ka punëtorë. Të rinjtë largohen dhe nuk duan të punojnë, ndërkohë që puna nuk është turp.”
E ardhur nga Polonia, një vend që ka kaluar një tranzicion të ngjashëm si Shqipëria, Iwona thotë se korrupsioni dhe vështirësitë janë pjesë e një faze zhvillimi:
“Edhe Polonia ka kaluar të njëjtën periudhë. Këto gjëra kërkojnë kohë, por ndryshimi vjen.”
Përtej sfidave, ajo e sheh Shqipërinë si një vend me potencial të jashtëzakonshëm:
“Këtu ke gjithçka: det, male, natyrë të bukur. Mund të jetosh më qetë, ‘avash avash’, dhe ta shijosh jetën.”
Historia e Iwona Rrapajt është një shembull i një të reje që, ndryshe nga shumë shqiptarë që zgjedhin emigrimin, ka vendosur të vijë nga jashtë për të ndërtuar jetën e saj në Shqipëri dhe për t’u bërë zë i atyre që besojnë se e ardhmja mund të ndërtohet pikërisht këtu./dritare.net