Nga ligji i luftës te pronat dhe mbrojtja sociale në Greqi. Mesazhet e Spiropalit në Athinë
Dritare.net

Nga Athina, në një deklaratë të përbashkët për shtyp me homologun e saj grek, Ministrja Spiropali kërkoi nga Greqia heqjen e ligjit të luftës, të cilin e cilësoi si referencë ligjore atavike nga Lufta e dytë Botërore.
“Duke qenë partnerë në NATO, të lidhur nga një Traktat Miqësie dhe me perspektivë të përbashkët europiane, Shqipëria mbështet përfundimin sa më parë të çdo reference ligjore atavike nga Lufta e dytë Botërore, me pasoja në marrëdhëniet aktuale, e cila nuk pasqyron realitetin e marrëdhënieve tona si aleatë dhe si miq. Dua ta falenderoj posaçërisht Ministrin për lidershipin dhe vizionin për të ndërtuar një marrëdhënie me sytë nga e ardhmja”, tha Spiropali.
Ministrja Spiropali konfirmoi se “Shqipëria mbetet po ashtu e përkushtuar për zgjidhjen e çështjeve të lidhura me kufirin (përfshirë edhe delimitimin e hapësirave detare)”.
Kjo sipas saj, do të ndodhë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe parimet e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, ku palët janë plotësisht të hapura për dialog konstruktiv. ”Ne do të vijojmë të udhëhiqemi nga vlerat thelbësore të BE-së, nga respekti për normat e të drejtës ndërkombëtare për zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve dhe promovimin e stabilitetit në rajon”, tha Spiropali.
Ministrja u ndal edhe te aspektet historike ligjore dhe pronësore të qytetarëve dhe subjekteve shqiptare në Greqi, që sipas saj, u trajtuan hapur në kuadër të dialogut konstruktiv dhe bashkëpunimit dypalësh.
“Palët theksuan rëndësinë e një qasjeje graduale dhe realiste, në përputhje me kuadrin ligjor përkatës dhe me frymën europiane, me qëllim forcimin e besimit reciprok dhe zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore mes dy vendeve tona”, tha Spiropali.
Ajo kërkoi gjithashtu, vazhdimin e negociatave teknike për marrëveshjen bilaterale për mbrojtjen sociale. ”Kjo marrëveshje përbën një hap të rëndësishëm përpara në mbrojtjen e të drejtave të sigurimeve shoqërore dhe në garantimin e trajtimit të barabartë për punëtorët dhe personat e vetëpunësuar, si për shqiptarët në Greqi apo qyetetarët grekë qëpunojnë në Shqipëri. Një shembull pozitiv dhe inkurajues është përvoja e suksesshme me firmosjen e marrëveshjeve të ngjashme me shumë vende partnere të Bashkimit Europian, përfshi Italinë në vitin 2024, apo edhe vende të tjera”, tha Spiropali.
Ministrja e jashtme njoftoi se “e informova kolegun tim që Qeveria e Shqipërisë ka ndërmarrë një reformë të plotë të pronësisë, që synon rikthimin e ligjshmërisë në çështjen shumë komplekse të të drejtave të pronës në Shqipëri për shtetasit pa dallim etnie, pra edhe pjesëtarët e minoritetit grek në Shqipëri.”
“Ne e çmojmë pozitivisht, këmbënguljen e Kryeministrit Mitsotakis e të qeverisë së tij për respektimin e të drejtave të minoritetit, sepse është një vëmendje dhe një shtysë që na mban të angazhuar deri në detaje, ashtu sikundër bashkëpunimin tonë duam ta shtrijmë deri në detaje me interes zhvillimor të përbashkët, si për shembull, bashkëpunimi mes dy agjencive tona kadastrale për digjitalizimin dhe përdorimin e Inteligjencës Artificiale në trajtimin e titujve të pronësisë – një territor ku Greqia ka bërë progres mbresëlënës”, përfundoi Spiropali./dritare.net