Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Ndryshon ligji i pronave, kompensimi jo më i ulët se 10% e vlerës aktuale!

Ndryshon ligji i pronave, kompensimi jo më i ulët se 10% e vlerës

Në Kuvend ka nisur shqyrtimi i disa ndryshime në ligjin bazë të vitit 2015 për përfundimin e procesit të njohjes dhe kompensimit të pronave. Ndryshimet reflektojnë disa detyra që Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Gjykata Kushtetuese i kanë lënë qeverisë për çështjen e pronave, një nga çështjet më të mprehta të tranzicionit në Shqipëri, që ka prodhuar mbi 6 mijë viktima, dhjetëra mijëra gjyqe, konflikte, korrupsion, falsifikime, drama familjare etj.

Pronarët që u është bllokuar prona pas vitit 1945 dhe që nuk kanë mundur t’i rimarrin pas vitit 1991, do të kompensohen në një vlerë jo më e ulët se 10% e vlerës aktuale të pronës. Ky është kufiri i fundit që ka vendosur Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, e ritheksuar edhe nga Gjykata Kushtetuese. Kjo formulë do të zbatohet jo vetëm për vendimet përfundimtare për njohjen dhe kompensimin e pronave, por edhe për rreth 7 mijë kërkesa të pa trajtuara, për njohjen e së drejtës së pronës. Shqyrtimi i 7 mijë kërkesave është vendosur si detyrim nga Gjykata Evropiane. Gjithashtu, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka kërkuar indeksimin e shumës së kompensimit deri në pagesën përfundimtare.

Vendimet përfundimtare që kanë njohur të drejtën e kthimit e të kompensimit të pronës, kur ka ndryshuar zëri kadastral, vlerësohen financiarisht, duke llogaritur vlerën e pronës të njohur për kompensim, duke u bazuar në zërin kadastral aktual. Më pas llogaritet vlera e pronës së kthyer, të kompensuar fizikisht apo të përfituar në një nga mënyrat e tjera sipas ligjeve që kanë rregulluar kthimin e kompensimin e pronave.

Sipas ndryshimeve ligjore, kur vlera e pronës së kthyer është më e madhe sesa vlera e pronës së njohur për kompensim, atëherë vlerësimi financiar i vendimit përfundimtar që ka njohur të drejtën e kthimit e të kompensimit të pronës është e barabartë me zero lekë dhe në këtë rast personi i shpronësuar konsiderohet i kompensuar. Në rastet kur vlera e pronës së njohur për kompensim është më e madhe sesa vlera e pronës së kthyer, atëherë vlerësimi financiar është i barabartë me 10 % të diferencës, që rezulton, duke zbritur vlerën e pronës së kthyer nga vlera e pronës së njohur për kompensim.

Është vendosur që tokat e përcaktuara për kompensim, që janë pjesë e fondit të tokës, janë të paprekshme, ku asnjë organ administrativ apo gjyqësor nuk mund të disponojë mbi këtë fond. Është përcaktuar gjithashtu që dosjet e pashqyrtuara, duhet të shqyrtohen brenda datës 12 dhjetor 2024. Radha e shqyrtimit do të jetë nga kërkesat më të hershme./shqiptarja.com