
Hajdar Muneka, ish-ambasador i Shqipërisë në Kinë dhe ekspert i historisë së marrëdhënieve mes dy vendeve është ndarë nga jeta mbrëmjen e së enjtes në moshën 68 vjeçare.
Prej kohësh ai vuante nga një sëmundje e rëndë, me të cilën luftoi deri në fund, por nuk mundi ta fitojë këtë betejë . Lajmin për ndarjen e tij nga jeta e ka dhënë diplomati kinez në Tiranë, Ding Zhou. Ai shkruan me superlativa për diplomatin shqiptar dhe e cilëson një mik të ngushtë të popullit kinez.

“Me hidhërim të thellë mora vesh lajmin e ndarjes nga jeta të Ish-Ambasadorit të Shqipërisë në Kinë, Z. Hajdar Muneka. Ai ka qenë një njeri i ndershëm, një diplomat i shkëlqyer, një ekspert i historisë së marrëdhënieve kinezo-shqiptare, dhe një mik i ngushtë i popullit kinez, me të cilin bashkëpërjetuam shumë momente të këndshme. Përzemërsisht falenderoj Ambasadorin Muneka për kontributin e tij të jashtëzakonshem për miqesinë Kinë-Shqipëri. Shqipëria është një vend i bukur, me potencial të madh. Pres të ketë më shumë shqiptarë që, ashtu si Amb. Muneka, duan vendin e tyre, dhe njëkohesisht njohin mirë Kinën dhe botën, që të kontribuojnë për të ardhmen e Shqipërisë. U prehtë ne paqe”, shkruan Ding Zhou, ambasadori i Kinës në Tiranë.
Hajdar Muneka dha kontributin e tij për vite me radhë në shërbimin tonë diplomatik dhe ishte një njohës shumë i mirë i çështjeve aziatike. Ai ishte ambasador i Republikës së Shqipërisë në Kinë dhe Maljazi, dhe Jo rezident në Singapor, Korenë e Jugut Bangladesh, Japoni, Australi dhe Zelandën e re.M.K/dritare.net