Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Vàksina kùndër Còvíd-19 do ta ndryshojë vërtet botën. Ja pse!

Vàksina kùndër Còvíd-19 do ta ndryshojë

Nga Walter Isaacson-Time

Biokimistja Jennifer Doudna është një ndër pionieret kryesore të fushës së përcaktimit të strukturës së ARN-së. Ajo dhe një koleg i saj shpikën pajisjen për redaktimin e kodit të ARN-së, i cili u dha atyre çmimin Nobel në kimi në vitin 2020. Pajisja është e bazuar në një sistem që bakteret përdorin për të luftuar viruset. Bakteret zhvillojnë sekuenca të përsëritura të grumbulluara në ADN-në e tyre, të njohura si CRISPR, që mund të mbajnë mend viruse të rrezikshme dhe më pas të vendosin gërshërë të drejtuara nga ARN-ja për t'i shkatërruar ato. Me fjalë të tjera, është një sistem imunitar që mund të përshtatet vetë për të luftuar çdo lloj virusi, pikërisht atë për të cilën ne, njerëzit kemi nevojë, informon,dritare.net.
Tani, me vaksinën e aprovuar së fundmi Pfizer-BioNTech dhe një të ngjashme nga Moderna të cilat po shpërndahen ngadalë në të gjithë SHBA-në dhe Evropë, ARN-ja do të bëjë një lloj krejtësisht të ri të vaksinës që, kur të arrijë te shumë njerëz, do të ndryshojë rrjedhën e pandemisë. Vaksina Pfizer-BioNTech e COVID-19 është vaksina e parë në botë për përdorim të gjerë që krijohet me ndihmën e mARN-së. Dr. Ugur Sahin dhe Ozlem Tureci janë bashkëshortë dhe bashkëthemelues të BioNTech. Ishte pikërisht teknologjia e ARNi dhe vaksina e COVID-19 që i ndihmoi ata të bëhen një nga çiftet më të pasur në Gjermani, megjithëse thuhet se ata ende shkojnë në punë me biçikletë.

Llojet e vaksinave ndër vite

Vàksina kùndër Còvíd-19 do ta ndryshojë
Vaksinat për më shumë se dy shekuj kanë qenë po të njëjtat. Vetëm në 2020-ën ato pësuan një transformim në koncept. Vaksinat janë të bazuara rreth idesë së ekspozimit të pacientit me një sasi të vogël të një virusi. Kjo ka për qëllim që të godasë sistemin imunitar dhe për shkak të kësaj trupi do të prodhojë antitrupa të cilët do të luftojnë çdo infeksion nga sulmet e mikrobeve.
Një mënyrë tjetër është të infektohesh me një version më të dobët të virusit. Trupi përgjigjet duke formuar antitrupa për luftimin e tyre, dhe imuniteti mund të zgjasë gjithë jetën. Albert Sabin e përdori këtë qasje për vaksinën orale të poliomelitit në vitet 1950 dhe kjo është mënyra se si ne tani i shmangemi fruthit, shytave, rubeolës dhe lisë së dhenve.
Në të njëjtën kohë që Sabin po përpiqej të zhvillonte një vaksinë të bazuar në një virus të dobësuar, Jonas Salk pati sukses me një metodë tjetër: duke përdorur një virus të vrarë. Kjo lloj vaksine ka më pak të ngjarë të shkaktojë efekte anësore serioze. Dy kompani kineze, Sinopharm dhe Sinovac, e kanë përdorur këtë mënyrë për të zhvilluar vaksina të COVID-19 që janë në përdorim të kufizuar në Kinë, në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Indonezi.
Një tjetër qasje tradicionale është të injektohet një nën-njësi e virusit, përshembull një nga proteinat që janë në shtresën e virusit. Sistemi imunitar do t'i mbajë mend këto pjesë të vogla të virusit dhe do të japë një përgjigje të shpejtë dhe të fuqishme kur të përballet me virusin aktual. Vaksina kundër hepatitit B, për shembull, funksionon në këtë mënyrë. Përdorimi i një fragmenti nga virusi është më i sigurt për t’u injektuar tek pacientët dhe këto vaksina janë më të lehta për t’u prodhuar, por shpesh nuk janë aq të afta në prodhimin e një imuniteti afatgjatë. Dy nga vaksinat që janë prodhuar tashmë në Rusi funksionojnë në këtë mënyrë.
Viti 2020 do të mbahet mend si koha kur këto vaksina tradicionale u zëvendësuan nga diçka krejtësisht e re: vaksinat gjenetike, të cilat shpërndajnë një pjesë të kodit gjenetik të tyre në qelizat njerëzore. Ky kod gjenetik më pas stimulon sistemin imunitar të pacientit.

Vàksina kùndër Còvíd-19 do ta ndryshojë
Ugur Sahin, Özlem Türeci Pfizer/Biotech


Një metodë tjetër e krijimit të vaksinave është përdorimi i një teknikë të njohur si ADN rekombinante. Kjo metodë dërgon një virus të parrezikshëm në qelizat njerëzore. Për të krijuar këtë lloj vaksine të COVID, një gjen nga virusi redaktohet në ADN-në e një virusi të dobësuar i cili shkakton ftohjen e zakonshme. Ideja është që forma e re e virusit do të depërtojë në qelizat njerëzore dhe sistemi imunitar i personit do të përgatitet për të reaguar me shpejtësi nëse godet koronavirusi i vërtetë.
Kjo metodë është përdorur nga një nga kandidatët më të hershëm të prodhimit të vaksinave të COVID, nga Institutin Jenner të Universitetit të Oksfordit. Studiuesja kryesore në Oksford është Sarah Gilbert. Ajo ka punuar më parë në zhvillimin e një vaksine për sindromën respiratore të Lindjes së Mesme (MERS) duke përdorur të njëjtën mënyrë. Kjo epidemi u dobësua para se vaksina e saj të mund të përdorej. Por ajo e dinte që kjo metodë do të kishte sukses në momentin që virusi COVID u bë një kërcënim për botën dhe njerëzve u duhej më patjetër një vaksinë. Ajo ka trinjakë dhe studiojnë të gjithë për biokimi. Ata ishin ndër të parët që e morën vaksinën, informon, dritare.net.
Bill Gates, fondacioni i të cilit siguroi shumë nga fondet për vaksinën, e shtyu Oxford-in të bashkohej me një kompani të madhe që mund të testonte, prodhonte dhe shpërndante vaksinën. Kështu që Oxford krijoi një partneritet me AstraZeneca, kompaninë farmaceutike Britaniko-Suedeze. Fatkeqësisht, provat klinike rezultuan me probleme. Disa pjesëmarrësve u ishin dhënë dozat e gabuara dhe kjo çoi në vonesa. Pavarësisht kësaj, Britania e autorizoi për përdorim emergjent vaksinën e Oxford-it në fund të dhjetorit dhe SH.B.A. ka të ngjarë ta autorizojë atë në dy muajt e ardhshëm. Kompania Johnson & Johnson është duke testuar një vaksinë të ngjashme.
Përveç kësaj, dy vaksina të tjera të bazuara në adenoviruse (viruse të modifikuara gjenetikisht) janë duke u shpërndarë në sasi të kufizuar: njëra e krijuar nga CanSino Biologics dhe që po përdoret nga ushtria e Kinës dhe një tjetër me emrin Sputnik V, e krijuar nga ministria ruse e shëndetësisë.

Revolucioni i vaksinave ARN

Vàksina kùndër Còvíd-19 do ta ndryshojë
Ekziston një tjetër mënyrë për të futur materialin gjenetik në një qelizë njerëzore dhe për ta bërë qelizën të prodhojë pjesë nga një virus i rrezikshëm që të stimulojnë sistemin imunitar. Në vend që të ri-inxhinierohet dhe modifikohet gjeni, mundet thjesht të injektohet kodi i tij gjenetik tek njerëzit si ADN ose ARN.
Le të fillojmë me vaksinat e ADN-së. Studiuesit në Inovio Farmaceutic dhe një numër kompanish të tjera në vitin 2020 krijuan një pjesë të vogël ADN-je që kodonte brenda qelizave njerëzore pjesë të proteinave të koronavirusit. Nëse kjo pjesë ADN-je do të hyjë brenda bërthamës së një qelize, ajo do t'i japë qelizave udhëzime për prodhimin e disa pjesëve të virusit. Kjo do të shërbejë për të stërvitur sistemin imunitar të reagojë ndaj virusit real.
Sfida e madhe me të cilën përballet një vaksinë e ADN-së është lindja. Si mund ta fusim këtë pjesë ADN-je jo vetëm brenda një qelize njerëzore por edhe brenda bërthamës së një qelize? Disa nga zhvilluesit e vaksinave të ADN-së, përfshirë kompaninë Inovio, u përpoqën ta bënin këtë përmes një metode të quajtur elektroporim, e cila i jep impulse të goditjeve elektrike pacientit në vend të një injeksioni. Kjo hap poret në membranat qelizore dhe lejon ADN-në të futet. Nuk është e vështirë të kuptosh pse kjo teknikë është e papëlqyeshme. Deri më tani, nuk është zhvilluar asnjë mekanizëm i lehtë dhe i besueshëm për futjen e pjesëve të modifikuara të ADN-së në bërthamën e qelizave njerëzore.
Kjo na çon në molekulën fituese në garën e vaksinave COVID dhe meriton titullin e Molekulës së Vitit: ARN-në. Motra e saj, ADN-ja është më e famshme. Por si shumë vëllezër e motra të famshëm, ADN-ja nuk bën shumë punë. Kryesisht qëndron në bërthamën e qelizave tona, duke mbrojtur informacionin që kodon. Nga ana tjetër, gjenet e koduara nga ADN-ja jonë transkriptohen në copa të ARN-së dhe ajo lëviz jashtë bërthamës së qelizës. Me fjalë të tjera, në vend që thjesht të qëndrojë në shtëpi ARN-ja del jashtë për të mbaruar punët.
Shkencëtarët Sydney Brenner në Cambridge dhe James Watson në Harvard identifikuan për herë të parë molekulat e mRNA në 1961. Në 2005, ca studiues në Universitetin e Pensilvanisë, Katalin Kariko dhe Drew Weissman, treguan se si mund të modifikohet një molekulë e ARN-së në mënyrë që të hyjë në qelizat njerëzore.
Kur pandemia goditi botën një vit më parë, dy kompani të reja farmaceutike vendosën të shfrytëzojnë teknologjinë e ARN-së: kompania gjermane BioNTech, e cila formoi një partneritet me kompaninë amerikane Pfizer; dhe Moderna, me qendër në Cambridge, Mass.

Vàksina kùndër Còvíd-19 do ta ndryshojë
Stéphane Bancel, CEO, Moderna


Vaksina COVID-19 e Moderna-s u testua për herë të parë te njerëzit më pak se tre muaj pasi u përhap lajmi për virusin e ri. Por për ta çuar Modernën atje ku është sot, janë dashur vite e vite punë. Fillimisht u themelua në 2010 me besimin se teknologjia mARN, atëherë ende mjaft e re, mund të ndihmojë në trajtimin e çdo sëmundjeje. CEO i Moderna, Stéphane Bancel, u bë pjesë e kompanisë një vit më vonë. Moderna fillimisht nuk ishte e përqendruar te vaksinat, por me kalimin e kohës, shkencëtarët e saj filluan të punojnë rreth disa vaksinave kundër sëmundjeve infektive dhe disa formave të kancerit. Kjo përvojë erdhi shumë në ndihmë kur mbërriti pandemia COVID-19. Kompania e Bancel e fitoi sfidën lehtë duke përdorur platformën e saj mRNA për të zhvilluar një vaksinë rreth 95% efektive në mbrojtjen kundër sëmundjes COVID-19 në më pak se një vit.
BioNTech u themelua në vitin 2008 nga ekipi i bashkëshortëve, Ugur Sahin dhe Ozlem Tureci, të cilët janë njohur në Gjermani në fillim të viteve 1990. Ata të dy po trajnoheshin në mjekësi. Të dy ishin nga familje emigrante turke dhe ishin të dy të apasionuar pas kërkimeve mjekësore, aq shumë sa kanë kaluar një pjesë të ditës së dasmës së tyre duke punuar në laborator. Ata themeluan BioNTech me qëllimin për të krijuar një terapi që stimulon sistemin imunitar të luftojë qelizat kancerogjene. Shumë shpejt u bë gjithashtu një lider në krijimin e ilaçeve që përdorin ARN-në në vaksinat kundër viruseve.
Në janar 2020, Sahin lexoi një artikull në revistën mjekësore Lancet rreth një koronavirus të ri në Kinë. Pasi e diskutoi me gruan e tij, ai u dërgoi një email anëtarëve të tjerë të bordit të BioNTech duke u thënë se gabojnë nëse besojnë se ky virus do të vijë e shkojë aq lehtë sa MERS dhe SARS. "Këtë herë është ndryshe", u tha ai.

Vàksina kùndër Còvíd-19 do ta ndryshojë
BioNTech nisi një projekt për të krijuar një vaksinë të bazuar në sekuencat e ARN-së, të cilën Sahin ishte në gjendje ta projektonte brenda disa ditësh. Sahin kërkoi të fliste me Kathrin Jansen, kreun e kërkimit dhe zhvillimit të vaksinave në Pfizer. Të dyja kompanitë kishin punuar së bashku që nga viti 2018 për të zhvilluar vaksinat e gripit duke përdorur teknologjinë mRNA dhe ai e pyeti atë nëse Pfizer dëshironte të hynte në një partneritet të ngjashëm për një vaksinë COVID. "Sapo do të të telefonoja dhe do të propozoja të njëjtën gjë", u përgjigj Jansen. Marrëveshja u nënshkrua në mars.
Në atë kohë, një vaksinë e ngjashme mARN po zhvillohej nga Moderna, një kompani shumë më e vogël me vetëm 800 të punësuar. Kryetari dhe bashkëthemeluesi i saj, Noubar Afeyan, një armen i lindur në Bejrut i cili emigroi në SH.B.A., ishte magjepsur nga teknologjia mRNA kur mori vesh për të për herë të parë në 2010. Moderna fillimisht u përqendrua në përdorimin e mARN për të zhvilluar trajtime për kancerin, por shumë shpejt filluan të eksperimentojnë me përdorimin e kësaj teknike për të bërë vaksina kundër viruseve.

Vàksina kùndër Còvíd-19 do ta ndryshojë
Në janar 2020, Afeyan çoi një nga vajzat e tij në një restorant pranë zyrës së tij në Kembrixh për të festuar ditëlindjen e saj. Në mes të festës, ai mori një mesazh urgjent nga CEO i kompanisë së tij, Stéphane Bancel, në Zvicër. Bancel i tha se ai donte të niste një projekt për të përdorur mARN për të krijuar një vaksinë kundër koronavirusit të ri. Në atë pikë, Moderna kishte më shumë se 20 ilaçe në zhvillim, por asnjëra nuk kishte arritur në fazën përfundimtare të provave klinike. Sidoqoftë, Afeyan menjëherë e autorizoi atë të fillonte punën. Duke mos pasur burimet financiare të Pfizer, Moderna duhej të varej nga fondet e qeverisë së SHBA-së.
Bancel dhe ekipit të tij Moderna iu deshën vetëm dy ditë për të krijuar sekuencat e ARN që do të ndërhynin në qelizat e njeriut, dhe 41 ditë më vonë, u dërgoi kutinë e parë me vaksina në Institutin Kombëtar të Shëndetit për të filluar provat e para. Afeyan mban një fotografi të asaj kutie në celularin e tij.
Një vaksinë e ARN-së ka disa përparësi mbi një vaksinë të ADN-së. ARN-ja nuk ka nevojë të futet në bërthamë. Thjesht duhet të dërgohet në rajonin e jashtëm më të arritshëm të qelizave, citoplazmën.
Vaksinat Pfizer-BioNTech dhe Moderna e bëjnë këtë duke e vendosur ARN-në në kapsula të vogla vajore, të njohura si nanopjesëza lipide. Moderna ka punuar 10 vjet për të përmirësuar nanopjesëzat e saj. Kjo i dha asaj një avantazh ndaj Pfizer-BioNTech: grimcat e saj ishin më të qëndrueshme dhe nuk duhej të ruheshin në temperatura jashtëzakonisht të ulëta.

Vàksina kùndër Còvíd-19 do ta ndryshojë
Katalin Kariko, BioNTech


Katalin Kariko, Zëvendës Presidentja e BioNTech lindi në Hungari. Në 2005, ajo me kolegun e saj botuan një studim mbi ARN-në e modifikuar artificialisht,një zbulim që hapi dyert për përdorimin e ARN-së në vaksina dhe terapi të tjera. Kariko dhe kolegu Weissman i dhanë licencën për përdorimin e teknologjisë së tyre, kompanisë gjermane BioNTech, ku Kariko tashmë është zëvendëse presidente. Vaksina e koronavirusit Pfizer-BioNTech e bazuar në mRNA është provuar të jetë 95% efektive në parandalimin e COVID-19.

Vàksina kùndër Còvíd-19 do ta ndryshojë
Ashtu si me vaksinat e COVID, ne mund ta përdorim teknologjinë ARN për të na mbrojtur nga shumë viruse dhe baktere që shkaktojnë sëmundje infektive. Për më tepër, ARN-ja mund të përdoret në të ardhmen për të luftuar edhe kancerin. Me anë të një procesi të quajtur imunoterapi, ARN-ja mund të kodohet për të prodhuar molekula që do të bëjnë që sistemi imunitar i trupit të identifikojë dhe të vrasë qelizat kancerogjene, informon, dritare.net
ARN gjithashtu mund të modifikohet në një mënyrë që të eliminojë ose redaktojë një gjen të caktuar. Kjo teknologji është përdorur për të modifikuar gjenet e trashëguara tek foshnjat. Në vitin 2018, një mjek i ri kinez modifikoi gjenetikisht dy foshnje binjake që ato të mos kishin receptorët e virusit që shkakton AIDS. Mjeku u denoncua dhe u bënë thirrje që të krijohen ligje ndërkombëtare për të ndaluar modifikimin e gjeneve të trashëgueshme. Por pas pandemisë, modifikimi gjenetik për t'i bërë njerëzit më imun ndaj viruseve, një ditë mund të bëhet më i pranueshëm. Gjatë gjithë historisë njerëzore, ne kemi qenë të nënshtruar nga valët e sëmundjeve virale dhe bakteriale. Epidemia e gripit të Babilonisë që ndodhi rreth vitit 1200 para Krishtit, është një nga epidemitë më të hershme. Murtaja e Athinës në 429 p.K. vrau afër 100,000 njerëz, murtaja Antonine në shekullin e 2-të vrau 5 milion, murtaja e Justinianit në shekullin e 6-të vrau 50 milion, dhe Vdekja e Zezë e shekullit të 14-të mori gati 200 milion jetë, pothuajse gjysmën e popullsisë së Evropës.

Vàksina kùndër Còvíd-19 do ta ndryshojë
Pandemia COVID-19 që vrau më shumë se 1.8 milionë njerëz në vitin 2020 nuk do të jetë murtaja e fundit. Sidoqoftë, falë teknologjisë së re të ARN-së, mbrojtja jonë kundër shumicës së sëmundjeve në të ardhmen do të jetë jashtëzakonisht më e shpejtë dhe më efektive.
"Ajo ditë ishte një ditë e keqe për viruset", tha kryetari i Moderna, Afeyan kur mori lajmin pozitiv në lidhje me rezultatet e provave klinike të kompanisë së tij. “U bë një zhvendosje e papritur në ekuilibrin evolucionar midis asaj që mund të bëjë teknologjia njerëzore dhe asaj që mund të bëjnë viruset. Ne ndoshta nuk do të kemi më kurrë një pandemi !”.
Shpikja e vaksinave të ARN-së që riprogramohen lehtësisht ishte një triumf i shpejtë i zgjuarsisë njerëzore, por u bazua në dekada të tëra të mbushura me kërkime në një nga fushat më themelore të jetës në tokë.
Përktheu: Sara Frroku/Dritare.net

Ky është shkrimi kryesor i revistës"Time" për janarin e vitit 2021, sjellë në shqip nga dritare.net