Kryeministri Rama kritikon Sekretaren e Brendshme britanike: S'mund t'i bëni shqiptarët kurban
Dritare.net

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar ashpër ndaj komenteve të Sekretares së Brendshme të Mbretërisë së Bashkuar, Shabana Mahmood, e cila përmendi “rreth 700 familje shqiptare” që jetojnë në akomodim të financuar nga taksapaguesit pas kërkesave të dështuara për azil, si arsye për rifillimin e largimeve familjare.
Rama e cilësoi të papranueshme veçimin e shqiptarëve nga një përfaqësuese e qeverisë laburiste, duke thënë se ky lloj diskursi i ngjan retorikës së ekstremit të djathtë populist. Ai theksoi se 700 familjet e përmendura përfaqësojnë një “pikë në oqean” krahasuar me sfidat reale të Britanisë pas Brexit-it, dhe se Shqipëria nuk mund të bëhet shënjestër e gabuar në debatin politik britanik.
Kryeministri kujtoi se falë bashkëpunimit intensiv mes Tiranës dhe Londrës që nga fundi i vitit 2022, mbërritjet e paligjshme nga Shqipëria drejt Mbretërisë së Bashkuar “pothuajse janë zhdukur”, duke e quajtur këtë një histori suksesi në kontrollin e migracionit. Megjithatë, ai kritikoi faktin që regjimi i vizave dhe kufizimet e lëvizjes për shqiptarët në MB kanë mbetur të pandryshuara, duke i quajtur ato “relikte të epokës Braverman” që dëmtojnë si qytetarët, ashtu edhe ekonominë britanike.
Rama nënvizoi se shqiptarët janë kontribuues neto të ekonomisë së Mbretërisë së Bashkuar dhe se shkalla e përfitimeve sociale të marra nga komuniteti shqiptar është shumë e ulët krahasuar me kombësi të tjera. Sipas tij, veçimi i vazhdueshëm i shqiptarëve “nuk është politikë, por një akt demagogjie shqetësuese dhe të pahijshme”.
Ai paralajmëroi se një retorikë e tillë mund të rrisë rreziqet për qytetarët shqiptarë në MB, duke u bërë shënjestër e narrativave ekstremiste.
Rama theksoi se Shqipëria mbetet një partner kyç i Mbretërisë së Bashkuar në çështjet e sigurisë dhe menaxhimit të migracionit në Ballkan, dhe se Londra duhet të fokusohet në forcimin e bashkëpunimit dypalësh, jo në “stigmatizimin e një kombi aleat”.
“Politika zyrtare nuk duhet të udhëhiqet kurrë nga stereotipet etnike. Kjo është e pakta që njerëzimi pret nga një vend si Britania e Madhe,” përfundoi Rama./L.F-dritare.net