Ish-ministri del nga SPAK: Do flas herë tjetër!
Dritare.net
Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj ka përfunduar deklaratën në SPAK, pas masës së sigurisë lidhur koncesionin e sterilizimit.
Pas daljes nga SPAK, Beqaj ka refuzuar të ndajë detaje me gazetarët ndërsa deklaroi: Do flas një herë tjetër.
Dy ditë më parë, SPAK ka caktuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje” ndaj ish-ministrit për veprat penale të “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim.
Implikimi i Beqajt në dosjen e sterilizimit!
Mësohet se në QSUT ishte ngritur një qendër moderne sterilizimi por ajo nuk u vu kurrë në funksionim edhe pse Ogerta Manastirliu, atëherë drejtoreshë e QSUT-së informoi ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Nga hetimet mësohet se në shkurt të vitit 2014, ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj mori një kërkesë nga ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu për të vënë në punë qendrën moderne të sterilizimi në spitalin e ri të urgjencës, por kërkesa mbeti pa përgjigje.
Bëhet me dije se shkak për mos funskionimin e qendrës ka qenë nevoja për staf mbështetës, edhe pse kapaciteti i qendrës së sterilizimit mbulonte rreth 60 mijë ndërhyrje kirurgjikale në vit. Por edhe pse u vu në dijeni për investimin e kryer, ministri Beqaj i hapi dritën jeshile vazhdimit me procedurat e koncesionit. Sipas SPAK, Beqaj nuk mori asnjë masë për vënien në punë të qendrës së sterilizimit, ku në dosjen prej 348 faqesh, Gjyqtari i GJKKO-së Erjon Bami arsyeton se ish-ministri i Shëndetësisë në bashkëpunim me personin në hetim, Klodian Rrjepaj e kishin marrë vendimin e dhënies së shërbimit të sterilizimit me koncesion dhe kishin përzgjedhur paraprakisht se kush do ta fitonte këtë koncesion.
Lidhur me dëmin ekonomik që kanë shkaktuar personat në hetim përllogaritet të jetë i lartë, ku në dosjen e SPAK theksohet se nëse qendra Kombëtare e Sterilizimit do vihej në funksionim, do ta realizonte procesin me kosto më të e ulët, konkretisht 960 milionë lekë për gjithë vendin./M.K-dritare.net