Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Irani paralajmëron SHBA: Nëse ndërhyn në luftë ...

Irani paralajmëron SHBA: Nëse ndërhyn në luftë ...

The Guardian

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, reagoi për herë të parë që nga fillimi i luftës mes Izraelit dhe Iranit, duke dënuar ashpër retorikën amerikane dhe duke refuzuar thirrjen e presidentit Donald Trump për "dorëzim të pakushtëzuar". Në një deklaratë të lexuar në televizionin shtetëror iranian, Khamenei paralajmëroi se çdo ndërhyrje ushtarake amerikane do të shkaktonte “dëme të pariparueshme”.

“Populli iranian nuk i nënshtrohet gjuhës kërcënuese. Ata që e njohin Iranin dhe historinë tonë, e dinë këtë shumë mirë,” tha ai.

Ndërkohë, Izraeli intensifikoi sulmet dhe kërkoi evakuimin e civilëve nga një distrikt në Teheran, ndërsa paralajmëroi se objektivi strategjik është shkatërrimi i objektit bërthamor në Fordow. Ky objekt, i vendosur thellë nëntokë pranë qytetit të shenjtë të Qomit, është i mbrojtur nga mali dhe mund të shkatërrohet vetëm nga bombat bunker-buster që mbartin avionët amerikanë B-2.

Presidenti Trump, i cili fillimisht u përpoq të ruante distancën nga konflikti, ka ndryshuar qëndrim në ditët e fundit. Ai e quajti durimin e SHBA “në limit”.

Ndërkohë, raportohet se Irani po përgatit raketa për të goditur bazat amerikane në rajon, në rast se SHBA përfshihet zyrtarisht në konflikt.

Në sulmet e natës së gjashtë, Izraeli goditi një fabrikë që prodhonte centrifuga uraniumi dhe komponentë raketash, duke shkatërruar gjithashtu pesë helikopterë sulmues iranianë. Pavarësisht pretendimeve të Tel Avivit për dominim ajror, Irani arriti të rrëzonte një dron të avancuar izraelit dhe lëshoi 15 raketa drejt Izraelit.

Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) konfirmoi se dy qendra prodhimi centrifugash u goditën në Teheran dhe Karaj, por objektet thelbësore në Fordow dhe Natanz mbeten ende të paprekura.

Ndërkohë, Rusia dhe Kina shprehën shqetësimin për përshkallëzimin e konfliktit, duke paralajmëruar SHBA të mos ndërhyjë. Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, mbështeti të drejtën e Iranit për vetëmbrojtje, duke akuzuar Izraelin për “terrorizëm shtetëror”.

Ndërkohë që tensionet rriten, një ndërhyrje e mundshme amerikane mbetet në qendër të spekulimeve dhe frikës globale për përhapjen e konfliktit në Lindjen e Mesme./l.f-dritare.net