Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Estonia kërkon konsultime urgjente me NATO-n!

Estonia kërkon konsultime urgjente me NATO-n!

Estonia ka kërkuar konsultime urgjente me anëtarët e tjerë të NATO-s pasi avionët luftarakë rusë shkelën hapësirën e saj ajrore të premten.

Tre avionë luftarakë rusë MiG-31 hynë pa leje në qiellin estonez dhe qëndruan atje për 12 minuta, mbi Gjirin e Finlandës, sipas njoftimit të qeverisë estoneze. Si përgjigje, avionë luftarakë nga Italia, Finlanda dhe Suedia u ngritën në kuadër të misionit të NATO-s për të forcuar mbrojtjen e krahut lindor të aleancës. Një zëdhënës i NATO-s theksoi se ky ishte një shembull tjetër i sjelljes së papërgjegjshme ruse dhe i aftësisë së NATO-s për të reaguar ndaj këtyre provokimeve.

Megjithatë, Rusia e mohoi shkeljen e hapësirës ajrore të Estonisë, duke thënë se avionët ishin në një fluturim të planifikuar dhe se ata nuk kishin tejkaluar kufijtë e shtetit estonez. Tensionet janë shtuar së fundmi, pasi Polonia dhe Rumania, gjithashtu anëtare të NATO-s, deklaruan se dronët rusë kishin shkelur hapësirën e tyre ajrore.

Ky incident ka shpërthyer debat brenda NATO-s, me kërkesën për konsultime urgjente sipas Nenit 4 të Traktatit të NATO-s, i cili parashikon bisedime për çështje të sigurisë që mund të kërcënojnë territorin e aleatëve. Ky është rasti i dytë që një anëtar i NATO-s kërkon konsultime sipas Nenit 4 brenda një muaji. Polonia bëri të njëjtën kërkesë më 10 shtator, pas hyrjes së dronëve rusë në hapësirën e saj ajrore.

Kryeministrja e Estonisë, Kristen Michal, theksoi se përgjigja e NATO-s ndaj çdo provokimi duhet të jetë e bashkuar dhe e fuqishme. Ajo shtoi se është thelbësore që të konsultohen aleatët për të rritur ndërgjegjësimin për situatën dhe për të dakordësuar hapa të përbashkët në të ardhmen.

Donald Trump, u shpreh i shqetësuar për këtë incident, duke thënë se nuk i pëlqen kur ndodhin këto situata, pasi mund të shkaktojnë probleme të mëdha.

Estonia ka raportuar se ky ishte incidenti i pestë që shkel hapësirën ajrore të saj nga avionët rusë këtë vit. Avionët rusë hynë nga verilindja dhe fluturuan mbi ujërat neutrale të Baltikut, afër Ishullit Vaindloo të Estonisë, duke kaluar 3 kilometra (dy milje) nga ky ishull, i cili është pjesë e Estonisë. Avionët luftarakë të NATO-s, duke përfshirë ato italiane F-35, u ngritën për të shoqëruar avionët rusë dhe për t'i larguar nga hapësira ajrore e Estonisë.

Nga ana tjetër, Rusia ka theksuar se fluturimi ishte i planifikuar dhe u krye në përputhje të plotë me rregulloret ndërkombëtare, duke hedhur poshtë çdo akuzë për shkelje të hapësirës ajrore të Estonisë.

Në përgjigje të provokimeve ruse, NATO ka premtuar forcimin e mbrojtjes ajrore mbi vendet e lindjes, duke dërguar trupa dhe avionë luftarakë për të mbështetur Poloninë dhe Rumaninë. Përfaqësues të Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Gjermanisë dhe Danimarkës po kontribuojnë me misionet e mbrojtjes ajrore në kuadër të aleancës.

Për më tepër, kryeministri estonez ka paralajmëruar se këto provokime ruse janë një mënyrë për të shpërqendruar vëmendjen dhe ndihmën që vendet e NATO-s po i ofrojnë Ukrainës, duke i detyruar ato të përqendrohen më shumë në mbrojtjen e territorit të tyre./BBC