Bie qeveria në Bullgari, Kryeministri jep dorëheqjen pas protestave masive!
Dritare.net

Kryeministri bullgar, Rosen Zhelyazkov, dha dorëheqjen e qeverisë së tij, pas disa javësh protestash në rrugë kundër politikave ekonomike dhe dështimeve të perceptuara për të luftuar korrupsionin.
Zhelyazkov e njoftoi dorëheqjen në një deklaratë televizive, disa minuta para se parlamenti të votojë për një mocion mosbesimi. Ai tha se koalicioni qeverisës diskutoi situatën aktuale, sfidat e paraqitura dhe vendimet që duhej të merren me përgjegjësi. “Dëshira jonë është të jemi në nivelin që pret shoqëria. Pushteti buron nga zëri i popullit,” shtoi ai.
Demonstrata masive kanë përfshirë kryeqytetin Sofje dhe dhjetëra qytete të tjera në gjithë Bullgarinë. Protestuesit shprehën zhgënjimin për korrupsionin e përhapur dhe dështimin e qeverive të mëparshme për ta luftuar atë. Javën e kaluar, qeveria tërhoqi edhe planin e saj të buxhetit për vitin 2026, pasi protestuesit kundërshtuan rritjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe taksat mbi dividentët.
Edhe pas tërheqjes së planit të buxhetit, protestat kanë vazhduar pa ndërprerje, ndërsa Bullgaria ka mbajtur shtatë zgjedhje kombëtare në katër vitet e fundit, për shkak të përçarjeve të thella politike dhe sociale.
Presidenti Rumen Radev i bëri thirrje qeverisë që të jepte dorëheqjen dhe, në një mesazh në Facebook, i këshilloi ligjvënësit: “Midis zërit të popullit dhe frikës nga mafia, dëgjoni sheshet publike!”
Sipas kushtetutës, Radev ka kompetenca të kufizuara, por tani do t’u kërkojë partive parlamentare të përpiqen të formojnë një qeveri të re. Nëse ato nuk arrijnë ta bëjnë këtë, presidenti do të krijojë një qeveri të përkohshme që të drejtojë vendin deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja./ Reuters