Arben Taravari: Ju tregoj marrëdhënien time me Edi Ramën dhe Albin Kurtin!
Dritare.net
Arben Taravari kandidati për president në Maqedoninë e Veriut, i ftuar në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në Dritare TV, foli për marrëdhënien e tij me dy kryeministrat shqiptarë Edi Ramën dhe Albin Kurtin. Zoti Taravari tha se ka një raport korrekt me dy kryeministrat për të cilët tha se janë udhërrëfyes për politikën në Maqedoninë e Veriut.
Sa i takon komunikimit me kryeministrin Edi Rama, zoti Taravari u shpreh se gjithmonë e ka derën e hapur sa herë që ka kërkuar një këshillë prej tij, ndërsa shton se mes tij dhe Ali Ahmetit, kreu i qeverisë shqiptare publikisht ka mbajtur një qëndrim neutral sa i takon mbështetjes në këto zgjedhje.
“Ne si parti politike dhe unë si kryetar kam raporte te shkëlqyeshme me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe kryeministrin e Kosovës Kurti. Ato janë dy autoritete të pakontestueshme tek shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. Është e vërtetë që në zgjedhje të ndryshme në Maqedoninë e Veriut, kanë pasur ndikim kryeministrat e Shqipërisë apo të Kosovës. Mund të kujtoj këtu rastin në 2008 kur Hashim Thaçi ish kryetar i PDK-së mbështeti hapur Ali Ahmetin.
Në vitin 2020 gjithashtu zoti Kurti shprehu mbështetjen ndaj nesh, Aleancës për Shqiptarët së bashku me Alternativën.
Nuk mund të them se Rama ka një mbështetje të padukshme për Ali Ahmetin. Ai ka mbajtur një qëndrim neutral, edhe pse është e vërtetë që ka një afërsi me zotin Ahmeti. Zoti Ahmeti ka qenë në pushtet dhe sigurisht ata bashkëpunojnë.
Për sa i takon marrëdhënien me kryeministrin Edi Rama mund të them se kemi një raport tejet korrekt. Çdo herë kur kemi kërkuar një konsultë me të e kemi pasur derën e hapur. Këto janë raporte që i nevojiten një force që pretendon të vijë në pushtet për të qeverisur në të njëjtën rrugë dhe kohë shqiptarët drejt Evropës.
Por tani për tani mund të them se kemi një raport korrekt me të dy kryeministrat të cilat janë udhërrëfyesit tanë.
Dy kryeministrat shqiptarë mund të kenë qëndrime të ndryshme në disa çështje, por për Maqedoninë e Veriut, kanë pasur të njëjtën linjë. Të dy kryeministrat shqiptarë janë ngulmues që me çdo kusht Maqedonia e Veriut duhet të bëjë ndryshime kushtetuese, dhe të vazhdojë rrugën e saj evropiane sepse kjo rruga e vetme dhe nuk ka rrugë tjetër. Dhe të gjithë shqiptarët aty do të jenë së bashku dhe do të jetojnë në një komunitet më të madh që është komuniteti europian”, u shpreh Taravari në Dritare TV./L.F-dritare.net