Kandidati për president të MV, Arben Taravari: Pse do ta mundim Ali Ahmetin!
Dritare.net
Arben Taravari aktualisht është kryetari i Komunës së Gostivarit. Ai tha se pret që në zgjedhjet presidenciale të ketë mbështetjen e të gjitha etnive në Maqedoninë e Veriut. Arben Taravari, shpalli kandidaturën e tij për president të Maqedonisë së Veriut për zgjedhjet presidenciale që do të mbahen më 24 prill dhe 8 maj.
Ai do të jetë kandidat i koalicionit të opozitës shqiptare, Lidhjes Evropiane për Ndryshim (LEN). Ky koalicion përbëhet nga Lëvizja Besa, Alternativa, Lidhja Demokratike, njëri krah i Aleancës për Shqiptarët (ASH) dhe mbështetësit e Lëvizjes Vetëvendosje, partisë në pushtet në Kosovë.
I ftuar në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në Dritare TV, zoti Tavarari tha pse këto zgjedhje janë tejet të rëndësishme për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.
“Zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut do të mbahen më 8 maj 2024, së bashku me rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Rundi i parë për zgjedhjen e presidentit e vendit do të zhvillohet më 24 prill.
Në këto zgjedhje shqiptarët janë të ndarë në dy blloqe. Në njërën anë janë partitë të cilët janë bashkuar me Ali Ahmetin, partia që është në pushtet prej 22 vitesh. Ne jemi disa parti opozitare që jemi bashkuar për të parën herë për t’u përballur me partinë e zotit Ahmetit. Ne kërkojmë ndryshimin politik te shqiptarët. Kur më pyesin pse them se ky është një moment historik, e theksoj këtë sepse për ne është gati e ngjashme me situatën në Shqipëri në vitin ‘90 kur u rrëzua komunizmi. Unë mendoj se rotacioni politik është i domosdoshëm për shqiptarët, sepse ndryshimi është shpresë.
Mendoj se shqiptarët nuk meritojnë që të drejtohen nga një parti politike në 26 vite. Ndaj është i nevojshëm ndryshimi. Unë besoj që në 8 maj do të festojmë ndryshimin dhe në 9 maj do të festojmë ditën e Evropës dhe vazhdimin e rrugëtimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian, krah për krah me Shqipërinë.
Kjo është një sfidë që është për një pjesë të njerëzve thuajse një mision i pamundur por simbolika është mjaft e rëndësishme. Ka gjasa të vërteta që për herë të parë një shqiptar të shkojë në raundin e dytë, në balotazh. Kjo do të ishte një simbolikë tejet e rëndësishme për shqiptarët, pasi 30 % e popullatës në Maqedonisë së Veriut janë shqiptarë.
Besoj se do ta kem edhe përkrahjen e etnive të tjera dhe maqedonasve pasi Gostivari si komunë është si një Maqedoni e vogël, ku 65% janë shqiptarë, 20% maqedonas, 12% turq dhe pjesa tjetër etni të tjera por me një harmoni të jashtëzakonshme ndëretnike.
Unë besoj që në 8 maj do të festojmë ndryshimin dhe në 9 maj do të festojmë ditën e Evropës dhe vazhdimin e rrugëtimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian, krah për krah me Shqipërinë.”, u shpreh zoti Taravari në Shqip nga Rudina Xhunga në Dritare TV./L.F-dritare.net