Ministrja Koçiu reagon pas tensioneve në protestë: Dhuna rrezikon qytetarët, policët dhe gazetarët
Dritare.net

Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, ka reaguar në rrjetet sociale pas incidenteve të ndodhura gjatë protestës para Kryeministrisë, ku disa mbështetës të liderit të opozitës Sali Berisha hodhën molotovë, fishekzjarre dhe sende të forta në drejtim të efektivëve të policisë. Forcat e rendit kishin krijuar një kordon sigurie në zonë për të mbajtur situatën nën kontroll.
Në reagimin e saj, Koçiu dënoi aktet e dhunës dhe akuzoi drejtues të opozitës për nxitje të tyre, duke theksuar se veprime të tilla rrezikojnë jetën e qytetarëve, policëve dhe gazetarëve të pranishëm në terren.
Reagim i ministres së Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, në rrjetet sociale:
Dënojmë çdo inkurajim aktesh dhune nga drejtues të opozitës.
U bëjmë thirrje organizatorëve të protestës që t’u bëjnë apel simpatizantëve që të shmangin aktet e dhunës dhe të mbajnë të miturit larg çdo akti që do të rrezikonte jetën e tyre dhe qytetarëve.
Dhuna nuk është zgjidhje!
Dhuna është shfaqje e dëshpërimit nga ata që në vend të alternativës krijojnë skena që rrezikojnë jetën e qytetarëve, policëve e gazetarëve.
Ata të rinj e të mitur që përfshihen në akte dhune nuk janë as heronj e as trima, por janë të keqpërdorurit e atyre që në mënyrë patologjike vijojnë të mbështeten te dhuna, pa mundur të ndërtojnë alternativë tjetër veç shkatërrimit./K.C/dritare.net