
Alarm në NATO/ Avionët luftarakë rusë shkelin hapësirën ajrore të Estonisë!
Dritare.net
Tensionet në Baltik u rritën ndjeshëm mëngjesin e së premtes, pasi tre avionë luftarakë rusë Mig-31 shkelën hapësirën ajrore të Estonisë, anëtare e NATO-s, duke qëndruar për rreth 12 minuta. Sipas autoriteteve, avionët hynë rreth 8 kilometra brenda hapësirës ajrore estoneze, duke u drejtuar drejt kryeqytetit Talin. Shkelja ndodhi pranë ishullit Vaindlo, në Gjirin e Finlandës.
Burime të NATO-s, të cituara nga Fox News, raportojnë se avionët rusë ishin të armatosur me raketa balistike Kinzhal. Për t’i ndaluar, u ngritën menjëherë F-35 italiane të stacionuara në Estoni.
Incidenti vjen vetëm disa ditë pas shkeljes së hapësirës ajrore të Polonisë dhe Rumanisë nga dronë rusë, duke shtuar frikën për një përshkallëzim më të gjerë në rajon.
Qeveria e Estonisë thirri të ngarkuarin me punë të Rusisë në Tallinn për një notë proteste, duke e cilësuar ngjarjen si “të paprecedentë dhe agresive”.
Ministri i Jashtëm estonez, Margus Tsahkna, deklaroi se Rusia ka shkelur hapësirën ajrore të vendit katër herë vetëm këtë vit, ndërsa kërkoi “rritje të menjëhershme të presionit politik dhe ekonomik ndaj Moskës”.
Gjithashtu, Estonia po shqyrton mundësinë të kërkojë aktivizimin e Nenit 4 të NATO-s, i cili parashikon konsultime mes aleatëve në rast kërcënimi ndaj sigurisë së ndonjë shteti anëtar, një hap që së fundmi e ndërmori edhe Polonia.
Ky incident thekson rritjen e agresivitetit rus në Baltik, duke shtuar rrezikun për një krizë të re mes Moskës dhe Aleancës së Atlantikut të Veriut./K.C/dritare.net

















