Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Afera Partizani/ Berisha sot në SPAK. GJKKO shqyrton kalimin ose jo për gjykim të dosjes!

Afera Partizani/ Berisha sot në SPAK. GJKKO shqyrton kalimin ose jo

Kreu i PD, Sali Berisha do të paraqitet këtë të hënë në SPAK, në orën 09:00, në zbatim të masës “detyrim paraqitjeje" dy herë në muaj për aferën Partizani. Po sot, pritet të zhvillohet edhe seanca paraprake në Gjykatën e Posaçme për kalimin ose jo të kësaj dosjeje pas zvarritjeve të shumta.

Seanca e mëparshme, më 24 prill, u shty pasi avokatët e Berishës, Jamarbër Malltezit dhe Andia Pustinës kërkuan përjashtimin e gjyqtares Fjorela Davidhi, duke e akuzuar për njëanshmëri. Por kërkesa u rrëzua pak ditë më vonë, më 28 prill nga GJKKO, duke konfirmuar vijimin e procesit nga e njëjta gjyqtare.

Mbetet të shihet nëse pala mbrojtëse do të aplikojë sërish taktika zvarritjeje për të shtyrë vendimin përtej zgjedhjeve të 11 majit. Procesi ka hyrë në muajin e gjashtë që nga seanca e parë paraprake, më 24 tetor 2023. Shtyrjet kanë ardhur përmes mungesave të avokatëve, dhe së fundmi përmes kërkesës për përjashtim të gjyqtares.

Sakaq, para SPAK, siç tashmë e ka bërë “zakon”, Berisha ka mobilizuar edhe mbështetësit. Sekretari i Përgjithshëm i partisë, Flamur Noka iu dërgoi një mesazh pak ditë më parë strukturave të partisë, ku thuhej:

“Ju lutem të mobilizojmë të gjitha strukturat e degëve për të qenë të gjithë aty. Ora 08:30 para selisë së SKAP-it, faleminderit!”.

Ndaj ish-kryeministrit Berisha rëndon akuza e korrupsionit. Dhëndri i tij Jamarbër Malltezi (aktualisht në arrest shtëpie) si dhe biznesmeni Fatmir Bektashi akuzohen për korrupsion e pastrim parash ndërsa ndaj dy të tjerëve, ortaktut të Malltezit Xhimi Begeja dhe Andia Pustinës, financieres së kompanisë “Homeplan” rëndon akuza e pastrimit të parave./E.P-dritare.net