19 efektivë të lënduar nga protesta e PD, Lamallari dënon dhunën ndaj tyre!
Dritare.net

Ministri i Drejtësisë ka reaguar përmes një videoje të shpërndarë në rrjetet sociale ndaj dhunës kundrejt punonjësve të policisë nga protestuesit e PD. Besfort Lamallari shprehet se akte të tilla janë shkelje flagrante dhe e dënueshme e së drejtës për tubim.
Gjithashtu ai ka shprehur solidaritet për familjarët e të lënduarve, ndërsa e quan protestën një sulm të organizuar kriminal.
“Mirënjohje për punonjësit e Policia e Shtetit, të cilët për fat të keq, krahas mundimit të përditshëm për të ofruar më shumë siguri për qytetarët, u duhet të përballen me vetëpërmbajtje duke rrezikuar dhe jetën nga akte të tilla kriminale, të cilat janë një shkelje flagrante dhe e dënueshme e të drejtës legjitime për tubim paqësor!
Solidaritet me familjarët e punonjësve të lënduar dhe të gjithë ata të cilët kanë ndjekur me ankth përmes medias se si prindërit, bijtë, bashkëshortët dhe vëllezërit e tyre rrezikuan jetën nga një sulm i nxitur dhe i organizuar kriminal”, shkruhet krah videos.
Në Spitalin e Traumës u paraqitën 10 efektivë, ndërsa në QSUT 9. Policët u lënduan gjatë përplasjes me protestuesit, të cilët hodhën molotvë e fishekzjarrë. Punonjësit pësuan dëmtime të shumta, teksa disa prej tyre u panë teksa u digjeshin edhe uniformat.