Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

11 Maji/ Berisha e humbi betejën e parë përballë Ramës! Flasin gazetarët

11 Maji/ Berisha e humbi betejën e parë përballë Ramës!

Gazetarët Roland Qafoku dhe Ben Andoni të ftuar në emisionin Shqip nga Dritan Hila në DritareTv folën për ecurinë e fushatës gati një javë nga çelja e saj. Gazetarët tregojnë pse ende nuk ka ndezur fushata dhe çfarë mendojnë për dy organizimet që u bënë me çeljen zyrtare të fushatës.

Roland Qafoku: Kjo fushatë nuk ka risi. Pritshmëria ishte shumë e madhe, sa i përket opozitës, pra që të krijohej një frymë, një opinion sepse ka ardhur LaCivita nga SHBA-ja, strategu i fushatës së Trump-it, i cili fitoi në mënyrë surprizuese në Amerikë. A ka ndonjë gjë që ka bërë LaCivita deri tani? Me pak fjalë nuk shoh ndonjë gjë të jashtëzakonshme. Po bëjnë fushatë me metoda të vjetëruara. PD-ja synon të ketë një imazh tjetër sikur e mbështesin SHBA-të, ndërsa PS-ja arriti kulmin e saj në prezantimin e së shtunës. Dukej si 12 maj, sikur kishin mbaruar zgjedhjet, edhe PS-ja po festonte fitoren. Fushata tani është "one man show". PS-ja është zoti Rama dhe PD-ja është zoti Berisha.

Ben Andoni: Edhe për mua, organizimi i PS-së të jepte përshtypjen sikur ishte 12 maj. Ndërsa tek organizimi i Berishës, dekori linte për të dëshiruar. Problemi më i madh ishte mënyra se si zgjodhën funksionin e partisë në krah të atij dekori. Duke ditur që kanë përballë zotin Rama që është mjeshtri i formës, ata e humbën betejën e parë, betejën e formës. Po ashtu, ajo që më ka bërë përshtypje është një tulatje e madhe në publik. Nga njëra anë kemi njerëz të cilët janë shumë të mërzitur me qeverisjen e zotit Rama, por që nuk duan të votojnë për Berishën. Dhe nga ana tjetër njerëz të PS-së që u duket sikur duhet të kryejnë ritualin./K.C/dritare.net