
Miq, kolegë dhe politikanë i thonë lamtumirë aktorit, Xhevdet Ferri!
Dritare.net

Miq, kolegë dhe politikanë kanë reaguar për largimin nga jeta të aktorit.
Aktorja, Rajmonda Bulku u shpreh se ishte pa fjalë nga largimi i kolegut dhe mikut të saj.
"Shumë e dhimbshme sepse ishim shumë miq bashkë, ne përkojmë edhe si kohë, si moshë kemi filluar në të njëjtën moshë bashkë. Kontributi më i madh i Xhodës ishte në një mori filmash që ka në kinematografi. Ishim bashkë te “Dasma e Sakos” te “Delegacioni”. Ishte vërtet një djalë i zgjuar, me shumë bagazh, një aktor me shumë shije.",- u shpreh aktori Ndriçim Xhepa.
Ndërsa aktorja, Zamira Kita, i ka dhënë lamtumirën në Facebook, mikut të saj.
Kreu i shtetit, Ilir Meta shkruan se, kjo humbje e parakohshme dhe e pazëvendësueshme e ka prekur thellë.
"Me hidhërim të thellë mësova lajmin e trishtë të ndarjes nga jeta të aktorit të mirënjohur dhe një prej personaliteteve më të shquar të kinematografisë dhe filmave shqiptarë më të dashur për ne, Xhevdet Ferri.
Si për të gjithë artdashësit dhe simpatizantët e Tij të shumtë, kjo humbje e parakohshme dhe e pazëvendësueshme më ka prekur thellë.
Mjeshtri i Madh i filmit, por edhe i teatrit, Xhevdet Ferri do të mbahet mend përherë për rolet dhe personazhet karakteristike, të luajtura me aq talent dhe mjeshtëri të rrallë, për të cilat meritoi të gjithë respektin, vlerësimet dhe simpatinë, nga shumë breza, duke na lënë pas një trashëgimi të vyer në kinematografi.
Duke ndarë dhimbjen e thellë për humbjen e këtij artisti të madh, i përcjell ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe gjithë bashkëpunëtorëve.
Kujtimi i Tij do të mbetet i paharruar!",- shkruan Meta.
Ndërsa kryeministri i vendit, Edi Rama shprehet pa fjalë për largimin e Xhodës.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti shkruan në Facebook, se do të donte të kishte ndarë me miqtë e saj suksesin e radhës të aktorit, rolin e tij më të ri, por fatkeqësisht po jepte lajmin e dhimbshëm për largimin nga jeta.
"Do kisha dashur të ndaja me ju suksesin e tij të radhës, rolin më të ri, projektin më të afërt, por fatkeqësisht do të duhet të ndaj dhimbjen e largimit nga kjo jetë e një prej aktorëve më të mirë shqiptarë, Xhevdet Feri. Ai ishte nga ata aktorë që rolin e sillte mes nesh të gjallë, të prekshëm, të vërtetë.
Me lojën e tij i ka dhënë më tepër ngjyra galerisë së karaktereve, në filmat shqiptarë dhe do të mbetet i paharruar përmes interpretimesh në filmat “Era e ngrohtë e thellësive”, “Dhe vjen një ditë”, “Hije që mbeten pas”, “Përrallë nga e kaluara”, “Treni niset në 7 pa 5”, “Dasma e Sakos” e shumë e shumë të tjerë, deri te “Delegacioni”, filmi që nisi nga miku i tij i ndjerë, Artan Minarolli e u çua drejt suksesesh nga regjisori Bujar Alimani.
Xhevdet Feri, ti nuk e kishe mbyllur ende misionin tënd mes nesh, atë të kultivimit të shijes së mirë në publik e ndër studentë.
Qofsh i paharruar!",- shkruan Elva Margariti.
“Mësova me dhimbje të thellë ndarjen e parakohshme nga jeta të Xhevdet Ferrit, njërit nga ikonat e kinematografisë shqiptare të viteve ’80 dhe një luftëtari të palodhur për mbijetesën e filmit shqiptar, gjatë viteve të tranzicionit.
40 vjet në skenë e shndërruan Xhevdet Ferrin në një simbol të artit shqiptar, në një kontributor të palodhur të artit të mirë që bënte bashkë Durrësin e Tiranën, provincën e metropolin, në një kontributor të atij arti që aq shumë u duhet shqiptarëve në rrugën e vështirë drejt lartësimit të dinjitetit njerëzor.
Tek galeria e personazheve të tij, në teatër, por kryesisht në film, gjithkush gjente karakteret e përditshmërisë, gjente shembullin si duhet qëndruar për të mos u konformuar me të keqen, por gjente edhe shpresën se nga qëndresa vjen e nesërmja më e mirë.
Pas 1990-s, aktivizmi i Xhevdet Ferrit në procesin e vështirë të reformimit të institucioneve kryesore kombëtare që merreshin me prodhimin e filmit ishte i pashoq dhe shembulli se si një personalitet i artit mund të ecë në rrugën e vështirë dhe shpesh të pashkelur të administrimit të artit, si një e mirë publike dhe kombëtare.
Në krye të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, në krye të Teatrit Kombëtar, por kryesisht si themelues dhe drejtues i parë i Shoqatës së Kineastëve Shqiptarë, Xhevdet Ferri shërbeu si udhërrëfyes i ndryshimit, edhe për një brez të ri kineastësh, të cilët gjendeshin në kushtet e vështira të tranzicionit të kësaj industrie.
Partia Demokratike ka qenë e nderuar që ka pasur në radhët e saj si deputet për një legjislaturë të Kuvendit të Shqipërisë, artistin Xhevdet Ferri.
Humbja e tij, për çdo anëtar të PD dhe për çdo dashamirës të artit shqiptar, është e pazëvendësueshme.
Me mendje dhe lutje jam sot pranë bashkëshortes, vajzës dhe të gjithë familjarëve në këtë ditë të dhimbjes së thellë dhe ngushëllohem se trashëgimia e Xhevdet Ferrit në teatër dhe kinematografi është burim frymëzimi për çdo artist të ri, si dhe për çdo qytetar që angazhohet për një shoqëri që e do artin dhe që lufton për kinemanë kombëtare. U prehtë në paqe!"-shkruan kreu i PD, Lulzim Basha.
Më poshtë keni reagimet e kolegëve dhe miqve për largimin para kohe të aktorit. I paharruar qoftë kujtimi yt Xhevdet Ferri!/K.C/dritare.net

















