Na ndiqni edhe në

Shqip

Ministri Blendi Gonxhja: Hapet një epokë e re për artin, kulturën dhe sportin!

Ministri Blendi Gonxhja: Hapet një epokë e re për artin,


Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka prezantuar një sërë nismash ligjore që synojnë rritjen e financimeve për sportin, artin, kulturën dhe industrinë e kinematografisë në Shqipëri. Në një intervistë për Shqip nga Dritan Hila në DritareTv, ministri foli për ligjin e ri të donacioneve dhe sponsorizimeve, krijimin e Fondit Kombëtar të Artit, reformën në kinematografi dhe mbështetjen financiare për federatat sportive.

Një nga risitë kryesore është ligji për donacionet dhe sponsorizimet, i miratuar në qeveri dhe që pritet të kalojë në Kuvend. Sipas Gonxhjas, duke nisur nga viti 2027, bizneset do të kenë mundësi të financojnë drejtpërdrejt aktivitete sportive, artistike dhe kulturore, duke përfituar lehtësira në tatimin mbi fitimin.

“Te pjesa e sponsorizimeve për lehtësitë fiskale që krijohen për artin, kulturën dhe për sportin, kemi një epokë të re që hapet para nesh, që do bëjë që ne të kemi një nxitës dhe një shtytës shumë të fortë të një reaksioni zinxhir, që do jetë rimbursimi i menjëhershëm, zbritja e menjëhershme e shpenzimit që bëjmë për sponsorizim nga tatimfitimi i bizneseve në masën deri në 30%”, u shpreh Gonxhja.

Ministri bëri të ditur se skema do të ketë një tavan fillestar prej 2 miliardë lekësh, ose rreth 22 milionë eurosh në vit.

“Sot mund të themi që Shqipëria, ekonomia jonë, buxheti ynë mund të guxojë që të bëjë këtë prokurim të drejtpërdrejtë me një tavan vjetor, si fillim 2 miliardë lekë të reja ose rreth 22 milionë euro, duke filluar nga viti që vjen. Ky është një tavan mbi tavanet buxhetore që janë buxheti ynë vjetor që vjen direkt nga buxheti i shtetit”, tha ai.

Gonxhja shpjegoi se do të krijohet edhe një regjistër elektronik i sponsorizimeve pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, ndërsa aktivitetet që do të përfitojnë financime do t'i nënshtrohen një procesi certifikimi.

Buxheti për kulturën, Gonxhja: Synojmë të arrijmë 1%
Duke folur për financimin e artit dhe kulturës, ministri pranoi se buxheti aktual mbetet i kufizuar dhe se objektivi është rritja e tij në të paktën 1% të buxhetit të shtetit.

“Ne duhet të synojmë dhe me strategjinë e artit dhe kulturës, sidomos sepse janë të ndara sektorët. Unë nuk po i bashkoj bashkë me turizmin, rininë dhe sportin, por sikur të marrim vetëm artin dhe kulturën dhe trashëgiminë, ne duhet të shkojmë te të paktën 1% dhe ne jemi ende në betejën për ta kapërcyer 0.5-ën dhe të shkojmë në nivelet e 1-shit. Kjo gjë nuk është një gjë e lehtë në situatën që jemi”, deklaroi Gonxhja.

Fondi Kombëtar i Artit, 10% e kursimeve nga tenderët për blerjen e veprave
Një tjetër nismë e prezantuar nga ministri është krijimi i Fondit Kombëtar të Artit, i cili synon të sigurojë burime të reja financiare për blerjen e veprave dhe koleksioneve artistike. Sipas ministrit, mekanizmi parashikon që një pjesë e kursimeve të realizuara nga prokurimet publike të qeverisjes qendrore të përdoret për pasurimin e koleksioneve shtetërore.

“Një nga detyrat e para që kisha në këtë aspekt ishte të gjenim fonde nga kursimet e prokurimeve publike, në një formulë, në një mekanizëm, në një instrument që ne t'i çonim ato për artin. Dhe në këtë drejtim kemi bërë e miratuar në qeveri ligjin e ri për Fondin Kombëtar të Artit, i cili është një ligj që sjell disa mekanizma. Njëkohësisht krijon Fondin Kombëtar të Artit, pra të gjithë fondit publik të veprave të artit, koleksioneve, të gjithçkaje që shteti do të blejë që këtej e tutje me një fond i cili mblidhet nga kursimi i diferencës fond limit, fond i kontraktuar i gjithë prokurimeve publike gjatë një viti të qeverisjes qendrore”, shpjegoi ministri.

Ai shtoi se mekanizmi synon të përdorë deri në 10% të kursimeve, duke përmendur si vlerë orientuese rreth 7.5 milionë euro në vit.

“Ne me këtë ligj sanksionojmë që 10% Ministria e Financave, në momentin që buxheti në fund të vitit përgatitet për vitin që vjen, na alokon një 10% të këtij kursimi. Mund të jetë si fillim një fond më i vogël se 10%. Mund të jetë jo 10%, sepse 10% për momentin është gati 7.5 milionë euro në vit. Se kaq janë kursimet e këtij viti, të paktën deri tani, nga prokurimet publike të qeverisjes qendrore”, tha Gonxhja.

Shteti do të blejë koleksionet e Gjon Milit, Kristaq Sotirit dhe Salvador Dalí
Gonxhja zbuloi se institucionet shqiptare janë në proces për blerjen e koleksionit të fotografit të njohur Gjon Mili, ndërsa synojnë të blejnë edhe koleksionin e fotografit Kristaq Sotiri.

“Sot që flasim ne jemi duke blerë koleksionin Gjon Mili dhe do ta kemi përfundimisht në inventarin tonë të pasurive të shtetit. Do ta ekspozojmë natyrisht në Korçë, kudo qoftë, në Shkodër, ku të jetë e mundshme për standardet që kërkon që të ekspozohen, se janë vepra origjinale, janë gjithë negativët, janë gjithë puna origjinale”, deklaroi ai.

Ministri bëri të ditur se synohet edhe blerja e koleksionit të Kristaq Sotirit, i cili aktualisht ndodhet në pronësi të familjes.

“Shumë shpejt duam të blejmë dhe koleksionin e fotografit të famshëm Kristaq Sotiri, që është përsëri nga juglindja dhe që është një vlerë e regjistruar pasuri kombëtare, por që është në dorën e familjes dhe që është në një moment që nuk po kalon një moment shumë të mirë si koleksion dhe që ne duam ta shpëtojmë dhe ta blejmë. Për shembull, jemi duke mbyllur blerjen e një koleksioni modest nga Salvador Dalí në këtë moment që po flasim, me një grup nga ministria që drejtoj dhe nga Galeria Kombëtare e Arteve, dhe të gjitha këto do të jenë pasuri publike. Këto koleksione nuk janë thjesht blerje, shpenzim dhe futje në inventar. Këto janë investim, sepse këto do kenë një vlerë e cila në vite do marrë vlerë, do shtohet dhe do akumulojë dhe më shumë vlerë në vetvete”, theksoi ministri.

Reforma në kinematografi, rimbursim 35% për prodhimet filmike
Gonxhja foli edhe për një reformë të industrisë së kinematografisë dhe audiovizualit, e cila ndodhet në diskutim në qeveri, Sipas tij, synohet modernizimi i strukturave ekzistuese, krijimi i Komisionit Shqiptar të Filmit dhe një skemë mbështetëse për prodhimet kinematografike.

“Ne kemi në diskutim në qeveri dhe një paketë reforme për industrinë kreative, për kinemanë dhe audiovizualin, që besoj është nga më të mirat. Ka marrë një kohë të madhe për t'u përgatitur e për t'u përmirësuar si paketë dhe është sot në qeveri. Shumë shpejt do e kemi në diskutim për ta miratuar, për ta çuar në Parlament, që sjell një strukturë, arkitekturë, një koncept të ri të gjithë sektorit”, deklaroi ministri.

Gonxhja bëri të ditur se po diskutohet një fond fillestar prej 23 milionësh, ndërsa prodhimet që do të plotësojnë kriteret do të mund të përfitojnë rimbursim prej 35%.

“Po sikur ne t'i vëmë 23 milionë si fillim në vitin e parë, po diskutojmë, po lobojmë për këtë shifër. Me të kaluar ligjin krijohet Komisioni i Filmit Shqiptar, i cili do jetë me dy-tri rajonale, veri, jug, qendër, që do të ketë një lidhje shumë organike me bashkitë dhe do shërbejë si një bazë prodhimi filmi, punonjësish, trupash, marangozësh, skenografësh, domethënë në përgjithësi njerëz që do të jenë ekipet e filmit”, tha ai.

Sporti, Gonxhja pranon mungesën e financimeve për federatat
Duke u ndalur te sporti, ministri pranoi se mbështetja financiare për federatat sportive mbetet e pamjaftueshme, veçanërisht për disiplinat që nuk kanë mundësi të mëdha vetëfinancimi.

“Nuk e kam dot kokën lart që të them që i kemi punët mirë në mbështetjen e federatave, sepse nuk e kemi mbështetjen ku duhet. Fondet që ata marrin janë shumë të vogla. Pra, fondet vjetore që ata marrin, pa të cilat ata nuk funksionojnë dot, janë në funksion të një aktiviteti që nuk është një aktivitet thjesht privat, është një aktivitet publik ajo që ata bëjnë. Ata angazhojnë fëmijë, të rinj, sportistë të talentuar e të tjerë. Ne kemi shumë detyrime ndaj tyre dhe ata nuk janë atje ku duhet me financimin dhe ne duam që këtë vit ta rrisim. Nuk po them se do ta dyfishojmë dot, por do ta rrisim financimin e tyre, pra vitin që vjen”, tha ministri.

Gonxhja theksoi se futbolli ka mundësi më të mëdha vetëfinancimi, ndërsa basketbolli dhe volejbolli përballen me më shumë vështirësi. Ai përmendi gjithashtu mbështetjen shtetërore për organizimin e Kampionatit Europian U21, që do të zhvillohet në Shqipëri dhe Serbi.

Nëntë nisma ligjore për kulturën, turizmin dhe sportin
Në përfundim, ministri bëri të ditur se institucioni që drejton po punon për nëntë nisma ligjore gjatë periudhës 2026–2027. Mes tyre përmendi ligjin për librin dhe leximin, të drejtën e autorit, artin dhe kulturën, Fondin Kombëtar të Artit, donacionet dhe sponsorizimet, kinematografinë dhe audiovizualin, trashëgiminë kulturore, muzetë dhe turizmin. Një tjetër nismë lidhet me trajtimin e veçantë të artistëve që largohen nga skena për shkak të moshës, veçanërisht balerinëve dhe artistëve të operës. Gonxhja theksoi se reforma synon krijimin e një kuadri të ri ligjor dhe financiar për zhvillimin afatgjatë të këtyre sektorëve.